Kryeministri i Hungarisë, Péter Magyar, i ka dërguar letër urimi Albin Kurtit për mandatin e ri qeverisës, duke rikonfirmuar mbështetjen e Hungarisë për sigurinë e Kosovës dhe integrimin e saj evropian.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti e pranoi letrën të premten pasdite përmes ambasadorit hungarez, László István Dux.
Në letrën e tij, Magyar e uroi Kurtin për zgjedhjen në postin e kryeministrit dhe theksoi rëndësinë e Kosovës për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Ne njohim rolin kyç të Kosovës në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Andaj, jemi të bindur që një Ballkan Perëndimor prosperues ka rëndësi jetike për Hungarinë dhe mbarë kontinentin evropian”, thuhet në letrën e kryeministrit hungarez.
Magyar gjithashtu rikonfirmoi përkushtimin e Hungarisë për të kontribuar në sigurinë e Kosovës përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it.
Ai shprehu edhe mbështetjen e vendit të tij për rrugën evropiane të Kosovës, duke theksuar se Hungaria mbetet e përkushtuar për bashkëpunim në këtë drejtim.

