Autoritetet polake kanë marrë informacione për një sulm të mundshëm ndaj kryeministrit Donald Tusk dhe zëvendëskryeministrit, njëherësh ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz.
Lajmi u bë i ditur të dielën nga Karolina Gałecka, zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme të Polonisë, përmes një postimi në platformën X.
Sipas saj, ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, dhe ministri-koordinator i Shërbimeve Speciale, Tomasz Siemoniak, kanë urdhëruar ndërmarrjen e masave për trajtimin e këtij rasti.
“Pas informacioneve të marra nga policia polake për një sulm të mundshëm ndaj kryeministrit Donald Tusk dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, ministri i Brendshëm Marcin Kierwiński dhe ministri-koordinator i Shërbimeve Speciale, Tomasz Siemoniak, urdhëruan marrjen e masave për këtë çështje”, ka shkruar Gałecka.
Mbledhje në Qendrën Kundër Terrorizmit
Sipas njoftimit, të dielën në orën 11:00 është paraparë të mbahet një mbledhje në Qendrën Kundër Terrorizmit të Agjencisë së Sigurisë së Brendshme të Polonisë (ABW).
Deri në publikimin e raportimit, nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera mbi natyrën e kërcënimit apo personat që mund të qëndrojnë pas tij.
Njoftimi vjen në një periudhë kur autoritetet polake po përballen me shqetësime të shtuara për sigurinë publike, pas një serie incidentesh të dhunshme në shkollat e vendit.

