Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është hapur edicioni i 12-të i Shkollës Diplomatike për Diplomatë të Rinj, program që për gjashtë ditë do të mbledhë 49 diplomatë nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës.
Sipas Kurtit, në këtë edicion marrin pjesë 10 diplomatë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, si dhe 39 diplomatë të tjerë nga vende të ndryshme.
Përmes një postimi në Facebook, ai theksoi se programi u mundëson diplomatëve të rinj të shkëmbejnë ide, të krijojnë lidhje profesionale dhe të ndërtojnë baza për bashkëpunim të mëtejshëm ndërkombëtar.
“Shtetet e vogla – diplomaci e mençur”
Mesazhi kryesor i këtij edicioni është “Small States – Smart Diplomacy” (Shtetet e vogla – diplomaci e mençur).
Kurti vlerësoi se përmes diplomacisë, dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, Kosova ka kaluar nga sfidat e shtetndërtimit drejt një pjesëmarrjeje gjithnjë e më aktive në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e rolit të diplomatëve në ndërtimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve, pavarësisht dallimeve kulturore dhe politike.
Sipas Kurtit, lidhjet që krijohen gjatë këtij programi mund të shërbejnë si bazë për partneritete të reja dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në të ardhmen.

