Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese ka vendosur që më 14 tetor 2026 të publikojë thirrjen publike për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Vendimi është marrë në mbledhjen e parë të komisionit, të mbajtur më 13 tetor dhe të drejtuar nga kryesuesi Vigan Qorrolli. Thirrja do të jetë e hapur për 20 ditë, deri më 2 nëntor 2026.
Qorrolli ka bërë të ditur se, në përputhje me ligjin, kandidaturat mund të propozohen nga institucionet e drejtësisë, por edhe nga individët që dëshirojnë të kandidojnë vetë, me kusht që t’i plotësojnë kriteret ligjore për emërim.
Kandidatët do të intervistohen para se t’i propozohen Kuvendit
Pas përfundimit të afatit për aplikim, komisioni do t’i shqyrtojë kandidaturat e pranuara dhe do të zhvillojë intervistat me kandidatët.
Kandidatët që vlerësohen se i plotësojnë kushtet për emërim do t’i propozohen Kuvendit të Kosovës për miratim në seancë plenare.
“Komisioni do të mblidhet për t’i shqyrtuar kandidaturat e secilit kandidat dhe do të bëjë intervistimin e tyre, dhe kandidatët të cilët janë të emërueshëm do t’ia propozojë Kuvendit për miratim në seancë plenare”, ka deklaruar Qorrolli.
Procesi synon plotësimin e dy vendeve të lira në Gjykatën Kushtetuese, të mbetura nga legjislatura paraprake.
Zgjidhen edhe zëvendëskryesuesit e komisionit
Në mbledhjen e 13 tetorit, komisioni ka zgjedhur edhe zëvendëskryesuesit e tij.
Zëvendëskryesuese e parë është zgjedhur deputetja Jehona Lushaku Sadriu, ndërsa zëvendëskryesues i dytë është zgjedhur deputeti Artan Asllani.
Me publikimin e thirrjes më 14 tetor, pritet të nisë zyrtarisht procesi i aplikimit për dy pozitat e lira në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

