Shqipëria ka mbyllur përkohësisht kapitullin e 20-të, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke e çuar në katër numrin e kapitujve të mbyllur deri më tani.
Lajmi u bë i ditur gjatë Konferencës së 10-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri, e mbajtur të martën në Luksemburg. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e cilësoi këtë zhvillim një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendit në BE, ndërsa shprehu optimizëm për përshpejtimin e procesit deri në fund të vitit.
“Sot Shqipëria ka hedhur një tjetër hap vendimtar drejt vendit të saj të drejtë në BE. Mbyllja e ndërmjetme e kapitullit 20 është njohje më tej e reformave që ka realizuar Shqipëria dhe reformave që vendi ka vazhduar të ndërmarrë”, deklaroi Rama.
Kryeministri falënderoi Presidencën irlandeze të Këshillit të BE-së, komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, si dhe shtetet anëtare për mbështetjen në procesin e integrimit evropian.
Rama: Synojmë të mbyllim të paktën dyfishin e kapitujve
Duke folur për objektivat e Shqipërisë në negociatat me BE-në, Rama tha se vendi synon të përshpejtojë ritmin dhe të mbyllë të paktën dyfishin e katër kapitujve të mbyllur deri tani.
“Sot mbyllim edhe një kapitull tjetër, duke e çuar numrin në katër. Dhe janë të paktën dyfishi i këtij numri që presin të mbyllen brenda këtij viti. Të shohim!”, u shpreh ai.
Rama theksoi se Shqipëria ka ende punë për të bërë, por sipas tij, vendi është i përgatitur për të përmbushur objektivat e përcaktuara në procesin e integrimit.
“Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë, por jemi të përgatitur për t’ia dalë. Pres me padurim që të mbahet samiti i ardhshëm i Planit të Rritjes, së bashku me Forumin e Investimeve në Tiranë. Deri atëherë, jam plot shpresë se do të kemi bërë edhe më shumë progres”, deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se përparimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik i Shqipërisë dhe se synimi është përmbushja e detyrimeve brenda afateve të përcaktuara.
Marta Kos: Mbështesim ambicien e Shqipërisë, por reformat duhet të vazhdojnë
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, përgëzoi Shqipërinë për përparimin në negociata dhe vlerësoi reformat e ndërmarra nga vendi.
Ajo theksoi rëndësinë e përafrimit të politikave industriale shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian, duke nënvizuar rolin e bizneseve të vogla dhe të mesme në ekonominë e vendit.
“Shqipëria është një nga kryesuesit e këtij progresi mbresëlënës, po mbyllim një kapitull tjetër negociues. Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Shqipëria po sjell politikat e saj industriale më afër BE-së. Këto janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomi më të fortë”, deklaroi Kos.
Komisionerja vlerësoi gjithashtu ambicien e Shqipërisë për të përfunduar reformat deri në fund të vitit 2027, por theksoi se përparimi duhet të mbështetet në vazhdimin e tyre.
“Shqipëria i ka vënë vetes ambicien për të mbyllur reformat deri në fund të vitit 2027. Ne e mbështesim këtë ambicie, por reformat duhet të vijojnë”, u shpreh ajo.
Rama: Flamurin e Shqipërisë do ta vendosim në BE
Pas mbylljes së kapitullit të 20-të, Rama publikoi në rrjetet sociale një video me ekipin negociator shqiptar, përmes së cilës përcolli mesazhin se Shqipëria do të vazhdojë punën për anëtarësim.
“Pa e sjellë flamurin e Shqipërisë këtu dhe pa e vënë në krye, sepse është Albania dhe është më i bukuri flamur i Europës, ne nuk i ndahemi këtyre dhe kush nuk na ndahet ne, na ndihmon ta bëjmë më shpejt këtë punë”, tha Rama në video.
Ai shtoi se vendi do të vazhdojë përpjekjet për të arritur objektivin historik të anëtarësimit, duke shprehur bindjen se përparimi do të vijojë.
Mbyllja e kapitullit të 20-të e çon në katër numrin e kapitujve të mbyllur nga Shqipëria në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Megjithatë, përfundimi i negociatave dhe anëtarësimi kërkojnë përmbushjen e të gjitha kritereve dhe detyrimeve të përcaktuara nga BE-ja.
