Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka përfunduar mandatin e Paolo Zampollit si i dërguar i posaçëm i SHBA-së për partneritetet globale. Largimi i tij u konfirmua nga zyrtarë amerikanë, vetëm disa orë pasi Politico raportoi për mosmarrëveshje disamujore mes tij dhe zëvendëssekretarit të Shtetit, Christopher Landau.
Sipas raportimit, përplasjet mes tyre kishin të bënin me ndarjen e kompetencave, respektimin e hierarkisë institucionale dhe komunikime me email që përmbanin edhe sulme personale.
Nuk është bërë e ditur se largimi ishte rezultat i drejtpërdrejtë i këtyre mosmarrëveshjeve.
Zampolli: Shërbimi ndaj Trumpit ishte nderi më i madh i jetës sime
Në një deklaratë publike, Zampolli tha se mandati i tij fillestar ishte paraparë të zgjaste një vit, por presidenti Trump ia kishte zgjatur edhe për gjashtë muaj.
Ai falënderoi Trumpin, zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe pjesëtarët e tjerë të administratës amerikane.
Zampolli deklaroi se do t’i rikthehet biznesit dhe marrëveshjeve tregtare, duke e cilësuar shërbimin ndaj presidentit dhe SHBA-së si nderin më të madh të jetës së tij.
Kush është Paolo Zampolli?
Biznesmeni italian dhe ish-agjenti i modelimit u emërua nga Trump në mars të vitit 2025 si i dërguar i posaçëm për partneritetet globale.
Zampolli ka pasur lidhje të hershme me familjen Trump. Ai ka treguar se në vitin 1998 organizoi një mbrëmje gjatë së cilës Melania Knauss, e cila më vonë u bë Melania Trump, u prezantua me Donald Trumpin.
Gjatë karrierës së tij, Zampolli ka pasur angazhime në biznes dhe marrëdhënie ndërkombëtare, përfshirë aktivitete pranë Kombeve të Bashkuara.
Vizita në Shqipëri dhe mbështetja për shtetin bektashi
Zampolli vizitoi Shqipërinë muajin e kaluar, ku zhvilloi takime të nivelit të lartë dhe vizitoi selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve.
Gjatë vizitës, ai shprehu mbështetje amerikane për idenë e krijimit të një shteti bektashi, me Baba Mondin në krah.
Vizita tërhoqi vëmendje për shkak të rolit të tij në administratën Trump dhe lidhjeve të tij me qarqet politike e biznesore amerikane.
Polemika për Kupën e Botës
Zampolli ishte përfshirë edhe në një debat lidhur me pjesëmarrjen e Iranit në Kupën e Botës. Në një intervistë për CNN, ai kishte sugjeruar që Italia të zinte vendin e Iranit në turne, duke argumentuar se situata e luftës mund ta pengonte pjesëmarrjen e ekipit iranian.
Italia, vendlindja e Zampollit, nuk ishte kualifikuar për kompeticionin.
Largimi i tij vjen në një periudhë kur administrata amerikane po përballet me ndryshime në radhët e përfaqësuesve të saj dhe vëmendje ndaj marrëdhënieve mes zyrtarëve të afërt me presidentin dhe strukturave të Departamentit të Shtetit.

