Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar përditësimin e fundit për personat e lënduar gjatë protestës së sotme, ku janë përfshirë protestues, pjesëtarë të Policisë, përfaqësues të medias dhe kalimtarë.
Sipas njoftimit të publikuar në orën 21:00, gjithsej 28 persona kanë marrë shërbim mjekësor në dy institucionet shëndetësore.
Në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) janë trajtuar 23 persona: 17 efektivë policie, një protestues i mitur, një përfaqësues i medias dhe katër kalimtarë.
“Aktualisht, në urgjencën e SUT-së po merr trajtim një efektiv policie, ndërsa përfaqësuesja e medias është shtruar për ekzaminime të mëtejshme. Gjendja shëndetësore është e mirë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur pesë persona të lënduar: dy efektivë policie dhe tre protestues.
Sipas njoftimit të këtij institucioni, vetëm njëri prej efektivëve të policisë vazhdon të marrë shërbim mjekësor në urgjencë, ndërsa personat e tjerë janë larguar pasi kanë marrë këshillën mjekësore.
Sipas të dhënave të publikuara deri në orën 21:00, në të dy institucionet janë paraqitur për trajtim 28 persona të lënduar gjatë protestës.

