Glauk Konjufca do të kryesojë Grupin Punues të Apelit në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në përbërjen e tij do të jenë edhe përfaqësues të disa subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, do të jetë në krye të Grupit Punues të Apelit, i cili do të angazhohet në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas raportimit të Sinjali.com, në këtë grup do të përfaqësohen disa parti politike përmes deputetëve dhe përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Kosovës.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e grupit do të jetë deputeti Adnan Rrustemi, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës do të përfaqësohet nga nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të përfaqësohet nga deputeti Bekë Berisha.
Ndërkohë, përfaqësuese e Lidhjes Demokratike të Kosovës është përmendur deputetja Jehona Lushaku-Sadriu.
Grupi Punues pritet të përfshijë përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike, me synimin për të koordinuar angazhimet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit.

