Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mbajë sot, të martën, më 20 tetor, në orën 21:00, një mbledhje për të shqyrtuar raportin gjashtëmujor të UNMIK-ut për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë. Raporti vlerëson se situata e përgjithshme e sigurisë ka mbetur stabile, por evidenton bllokadën institucionale, përparimin e kufizuar në dialogun Kosovë–Serbi dhe tensionet në veri.
Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do t’i kushtohet zhvillimeve në Kosovë gjatë periudhës 16 mars – 15 shtator 2026, të përfshira në raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Misionin e Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Sipas raportimit të Security Council Report, në mbledhje pritet të raportojë Peter Due, përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut. Pjesëmarrja pritet të përfshijë edhe përfaqësues të Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit ku ishte shqyrtuar raporti për Kosovën ishte mbajtur më 9 prill të këtij viti.
Çfarë thuhet në raportin e OKB-së?
Raporti i ri, i publikuar më 30 shtator, vlerëson se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë ka mbetur stabile. Megjithatë, ai thekson se bllokada institucionale ka vazhduar dhe se përparimi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka qenë i kufizuar.
Dokumenti evidenton gjithashtu rritjen e tensioneve ndërmjet autoriteteve qendrore në Prishtinë dhe pushteteve lokale, veçanërisht në veri të Kosovës. Sipas raportit, mosmarrëveshjet lidhen me ushtrimin e kompetencave, vendimmarrjen në nivel komunal, veprimet policore dhe çështje të tjera që kanë ndikuar në marrëdhëniet ndërmjet institucioneve dhe komunitetit serb.
Raporti përfshin edhe zhvillimet në fushën e drejtësisë, përfshirë arrestimin e disa serbëve të dyshuar për krime lufte dhe dënimin e tre personave në rastin e sulmit në Banjskë. <text size=”sm”>Burimi: Tanjug</text>
Mbyllja e institucioneve paralele serbe dhe çështjet e sigurisë
Një tjetër temë e trajtuar në raport është mbyllja dhe ndërprerja e veprimtarisë së institucioneve të drejtuara nga Serbia në Kosovë. Sipas dokumentit, këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet e një pjese të komunitetit serb lidhur me qasjen në shërbime dhe sigurinë juridike.
Raporti përmend edhe çështjet që lidhen me integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e Kosovës, të drejtat gjuhësore, lirinë e mediave dhe liritë fetare.
Në fushën e sigurisë, dokumenti trajton planet e KFOR-it për optimizimin e strukturës së forcave, përfshirë kalimin gradual nga prania e përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe përfshirjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në masat e sigurisë pranë Manastirit të Deçanit, ndërsa KFOR-i do të mbetet reaguesi i parë për sigurinë e manastirit.
E ardhmja e UNMIK-ut pritet të jetë pjesë e diskutimeve
Përveç zhvillimeve politike dhe të sigurisë në Kosovë, mbledhja pritet të rikthejë në vëmendje edhe mandatin dhe të ardhmen e UNMIK-ut.
Shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit kanë qëndrime të ndryshme për rolin e misionit. Në mbledhjen e prillit, Shtetet e Bashkuara kishin kërkuar mbylljen e tij dhe, deri në një vendim të tillë, uljen e mëtejshme të numrit të stafit dhe bartjen e funksioneve të mbetura te institucione të tjera.
Britania e Madhe kishte kërkuar rishikim strategjik të rolit, përgjegjësive dhe financimit të misionit, ndërsa Franca kishte mbështetur masa për rritjen e efikasitetit, duke theksuar lidhjen e mandatit të UNMIK-ut me procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Në anën tjetër, Rusia dhe Kina kanë mbështetur vazhdimin e mandatit dhe financimin e misionit, ndërsa disa shtete të tjera kanë kërkuar që çdo ndryshim të bëhet duke marrë parasysh situatën në terren dhe nevojat e komuniteteve.
Dialogu Kosovë–Serbi në fokus të Këshillit të Sigurimit
Zhvillimet në dialogun Kosovë–Serbi pritet të jenë një nga çështjet kryesore të diskutimit. Sipas vlerësimit të raportit, zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani ka shënuar përparim të kufizuar.
Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por dallimet ndërmjet anëtarëve të përhershëm të Këshillit vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si trajtohet çështja e Kosovës.
Mbledhja e sotme pritet të shërbejë për shqyrtimin e këtyre zhvillimeve dhe për paraqitjen e qëndrimeve të vendeve anëtare lidhur me situatën politike, sigurinë, dialogun dhe rolin e ardhshëm të pranisë së OKB-së në Kosovë.

