Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i cili ka drejtuar akuza ndaj Daut Haradinajt dhe kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.
Duke folur në emisionin Debat Plus, Haradinaj ka pretenduar se sulmet ndaj tyre lidhen me faktin se, sipas tij, ata nuk po i nënshtrohen pushtetit.
“Pse duhet ky me sulmu Dautin ose Saminë? Se këta s’po tutën, po ua thonë disa sene. Ka njerëz që s’tutën në këtë vend. Pra, nuk është kah i sulmon ata për këto që po i thotë. Po ju siguroj që ky është multimilioner, ky dhe këta tjerët si ky. Klubi i tyre, lidhja e shkurt e korrupsionit. Mirëpo është duke i sulmuar se dikush nuk po iu nënshtrohet”, ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj për zhvillimet në Shqipëri: Lutem që situata të zgjidhet pa dhunë
Gjatë paraqitjes së tij në Debat Plus, Haradinaj ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin për protestat dhe tensionet politike atje.
Ai ka thënë se po i përcjell me dhimbje ngjarjet në Shqipëri dhe ka shprehur shpresën që kriza të tejkalohet përmes dialogut politik, pa dhunë dhe pa viktima.
“Me dhimbje po i përcjelli zhvillimet atje. Lutem që të arrihet një zgjidhje për atë gjendje politike, pa dhunë. Shpresoj pa viktima”, është shprehur Haradinaj.
Sipas tij, zhvillimet në Shqipëri prekin emocionalisht edhe qytetarët e Kosovës.
“Na dhemb sikur ta kishim në familje, gjithë atë që po ndodh”, ka deklaruar ai.
Haradinaj u ka bërë thirrje si institucioneve, ashtu edhe protestuesve, që të gjejnë një marrëveshje për t’i dhënë fund situatës së krijuar.
“Lutem të gjithëve, vëllezërve e motrave, edhe institucioneve edhe protestuesve, që të arrihet një marrëveshje e të ndalet kjo situatë”, ka thënë Haradinaj.
Në fund, ai ka shprehur shpresën që Shqipëria ta tejkalojë sa më shpejt krizën dhe t’u rikthehet proceseve të rregullta politike.

