Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Mbi 180 incidente sabotimi në Evropë që dyshohet se lidhen me Rusinë: Rekrutohen qytetarë të zakonshëm për zjarrvënie dhe sulme

Qendra Info by Qendra Info
23/10/2026
in Lajme
0
Raport: Dronë spiunë rusë mbi Evropë, 144 inkursione të dyshuara në 13 vende
0
SHARES
5
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga zjarret në magazina dhe dërgesat me eksplozivë, deri te grafitet dhe dronët pranë aeroporteve, hetimet në disa vende evropiane po shqyrtojnë lidhjet e mundshme me shërbimet ruse të inteligjencës. Sipas studiuesve, në shumë raste përdoren persona të rekrutuar përmes internetit, të motivuar kryesisht nga pagesat financiare.

Më shumë se 180 incidente të dyshuara si pjesë e operacioneve të sabotimit janë regjistruar në Evropë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, sipas studiuesve të cituar nga Radio Evropa e Lirë (REL).

Rastet përfshijnë zjarrvënie, transport të pakove me mjete ndezëse, sabotime infrastrukturore, përdorim dronësh dhe grafite provokuese. Megjithëse incidentet duken të palidhura, në disa prej tyre autoritetet kanë identifikuar ose dyshuar për lidhje me operacione të mbështetura nga Rusia.

Një studim i organizatës GLOBSEC dhe Qendrës Ndërkombëtare për Luftimin e Terrorizmit (ICCT) argumenton se mënyra e organizimit të këtyre operacioneve ka ndryshuar: në vend të përdorimit ekskluziv të oficerëve të inteligjencës, dyshohet se po rekrutohen gjithnjë e më shumë persona pa lidhje të drejtpërdrejta me institucionet shtetërore ruse.

Si rekrutohen personat që kryejnë sabotimet?

Sipas Kacper Rekawek, studiues i lartë në ICCT, personat e angazhuar në këto operacione janë shpesh qytetarë të zakonshëm, por në disa raste edhe ish-kriminelë, persona nga qarqe ekstremiste ose huliganë futbolli.

Rekrutimi, sipas tij, mund të bëhet përmes rrjeteve sociale, faqeve të internetit dhe aplikacionit Telegram. Ndonjëherë, personave të angazhuar u kërkohet të rekrutojnë edhe individë të tjerë.

Mes tyre mund të ketë shtetas të vendeve ku kryhen incidentet, emigrantë ose refugjatë nga Ukraina, Bjellorusia dhe Moldavia, si dhe shtetas rusë që jetojnë në vende të ndryshme evropiane.

Studiuesit theksojnë se motivi kryesor në shumë raste është përfitimi financiar, ndërsa bindjet proruse mund të luajnë rol dytësor.

Një studim i ICCT-së ka identifikuar 172 individë të përfshirë në incidente të këtij lloji. Sipas të dhënave të cituara në raport, 95 për qind e tyre ishin qytetarë të zakonshëm, pa lidhje me agjencitë ruse të sigurisë.

Nga zjarret në magazina te dërgesat me eksplozivë

Një prej rasteve të përmendura është zjarri i vitit 2024 në një magazinë në Londër, ku ruheshin pajisje për Ukrainën.

Sipas prokurorisë britanike, sulmi ishte organizuar nga persona të lidhur me grupin Wagner. Dylan Earl e kishte kontaktuar grupin përmes Telegram-it dhe më pas kishte rekrutuar persona të tjerë për të realizuar zjarrvënien.

Të përfshirët në këtë rast u dënuan me gjithsej 29 vjet burgim, ndërsa dëmi i shkaktuar u vlerësua në afro një milion funte.

Një tjetër rast u regjistrua në Poloni në prill të vitit 2024, kur u dogj një dyqan që shiste pajisje. Prokurorët polakë deklaruan se sulmi ishte kryer në emër të shërbimeve ruse të inteligjencës.

Në Gjermani, një incident shqetësues ndodhi në aeroportin e Lajpcigut, ku pranë avionëve ukrainas të transportit të mallrave u gjet një dron me një mjet shpërthyes. Mediat gjermane e kanë lidhur rastin me një person të dyshuar për përfshirje në operacione sabotimi të mbështetura nga Rusia.

Ndërkohë, në Francë janë hetuar incidente me grafite kundër Ukrainës dhe veprime provokuese pranë objekteve fetare, ndërsa në Lituani është djegur një dyqan i IKEA-s.

Pakot me mjete ndezëse në disa vende evropiane

Në korrik të vitit 2024, nga Lituania u dërguan katër pako që përmbanin mjete ndezëse.

Njëra prej tyre mori flakë më 20 korrik në qendrën e ngarkesave të DHL-së në aeroportin Lajpcig/Halle, pak para se të ngarkohej në një avion për në Britaninë e Madhe. Një tjetër shkaktoi zjarr dy ditë më vonë në një magazinë të DHL-së në Birmingem, ndërsa e treta dogji një rimorkio kamioni në Poloni. Pakoja e katërt u sekuestrua pa shpërthyer ose marrë flakë.

Sipas prokurorëve lituanezë, hetimet paraprake treguan se veprimet ishin koordinuar nga shtetas rusë të lidhur me shërbimet e inteligjencës ushtarake të Federatës Ruse.

Në realizimin e detyrave dyshohet se ishin përdorur shtetas të Lituanisë, Rusisë, Letonisë, Estonisë dhe Ukrainës. Rekrutimi, sipas prokurorëve, ishte bërë përmes njohjeve personale dhe Telegram-it, ndërsa pagesat kryheshin edhe me kriptovaluta.

Eurojust-i ka bërë të ditur se një hetim ndërkombëtar, ku përfshiheshin Gjermania, Lituania, Polonia, Holanda dhe Britania e Madhe, identifikoi 22 persona të dyshuar në Lituani dhe Poloni, të cilët dyshohet se vepronin në interes të inteligjencës ushtarake ruse.

Polonia në krye të rasteve të regjistruara

Sipas studiuesve të GLOBSEC-ut, që nga shkurti i vitit 2022 janë regjistruar më shumë se 150 incidente të lidhura me Rusinë, ndërsa vlerësimet e përmendura nga Rekawek e çojnë numrin afër 180.

Polonia renditet si vendi me numrin më të madh të incidenteve të regjistruara, e ndjekur nga Franca, Lituania, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, ka deklaruar se vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar më shumë se 100 incidente të dyshimta që mund t’i atribuohen Rusisë.

Në Gjermani, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 320 përpjekje për sabotim të mundshëm. Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se përcaktimi i përgjegjësisë për secilin incident mbetet i vështirë, pasi autorët shpesh nuk identifikohen ose lidhjet e tyre nuk mund të provohen përfundimisht.

Rusia, nga ana tjetër, i mohon rregullisht akuzat se rekruton persona për të kryer sabotime në Evropë.

Sa paguhen për sabotimet?

Sipas studimit “Kriminaliteti si mjet i luftës hibride në Evropë”, pagesat për personat e rekrutuar variojnë nga shtatë euro deri në 10.000 euro, në varësi të detyrës dhe rrezikut.

Për grafite ose vendosje afishesh mund të ofrohen shuma të vogla, ndërsa për zjarrvënie dhe sabotime mund të premtohen mijëra euro.

Në një rast të gjykuar në Serbi, një person që kishte pranuar të transportonte një dron pritej të merrte 500 euro. Sipas aktgjykimit të shqyrtuar nga REL, ai kishte arritur ta dërgonte pajisjen në vendin e caktuar.

Në një rast tjetër, që lidhej me nxitjen e incidenteve kundër komuniteteve hebraike dhe myslimane në Francë e Gjermani, anëtarëve të grupit u ishte premtuar pagesë prej 500, 1.000 ose 1.500 eurosh për çdo detyrë, krahas mbulimit të shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit.

Sipas studiuesve, këto shuma dhe mënyra e rekrutimit tregojnë se operacionet nuk mbështeten domosdoshmërisht te persona të motivuar ideologjikisht, por shpesh te individë që pranojnë të kryejnë veprime të paligjshme kundrejt pagesës.

Një strategji që synon dobësimin e mbështetjes për Ukrainën

Një studim i Universitetit të Leidenit, në Holandë, i publikuar në prill, argumenton se Rusia po zhvillon një fushatë veprimesh të fshehta që synojnë të mbështesin përpjekjet e saj ushtarake dhe të dobësojnë mbështetjen evropiane për Ukrainën.

Kacper Rekawek vlerëson se një prej synimeve të këtyre operacioneve është ndëshkimi i vendeve që ndihmojnë Kievin.

Fushata hibride ruse, sipas studimit të GLOBSEC-ut dhe ICCT-së, është zgjeruar pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Ndër rastet e përmendura nga studiuesit janë shpërthimi i municioneve të magazinuara në Çeki, përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi dhe tentativa për vrasjen e ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal në Angli.

Sipas një studimi mbi luftërat hibride, që nga viti 2018 janë dëbuar nga Evropa rreth 600 operativë rusë. Studiuesit argumentojnë se largimi i një pjese të këtyre personave mund ta ketë shtyrë Rusinë të mbështetet më shumë te ndërmjetës dhe rekrutë pa lidhje zyrtare me shërbimet e inteligjencës.

Ekspertët: Rrjetet mund të pengohen, por jo të eliminohen plotësisht

Sipas Rekawek, autoritetet mund t’i kufizojnë këto operacione përmes hetimeve, ndërprerjes së komunikimeve dhe pengimit të rrjeteve të rekrutimit. Megjithatë, ai paralajmëron se nuk ekziston një fitore përfundimtare ndaj kësaj forme të sabotimit.

Në raportin e tyre, GLOBSEC dhe ICCT rekomandojnë që qeveritë kombëtare dhe institucionet e Bashkimit Evropian të forcojnë masat kundër rekrutimit, të kufizojnë mundësitë e përdorimit të rrjeteve kriminale dhe të rrisin qëndrueshmërinë institucionale.

Rekawek thekson gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, ndërsa hetimet dhe proceset gjyqësore për incidentet e dyshuara vazhdojnë në disa vende evropiane. Burimi: Radio Evropa e Lirë (REL)

Related

Previous Post

Dyshohet për spiunazh në favor të Rusisë, arrestohet një shtetas ukrainas në Gjermani

Next Post

Irani pretendon se shtatë cisterna nafte u goditën në Hormuz, paralajmëron SHBA-në për përshkallëzim të luftës

Next Post
Hormuzi në krizë: Irani mbyll sërish ngushticën, tensione dhe të shtëna ndaj tankerëve

Irani pretendon se shtatë cisterna nafte u goditën në Hormuz, paralajmëron SHBA-në për përshkallëzim të luftës

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.