Autoritetet gjermane kanë arrestuar një shtetas ukrainas, të dyshuar për spiunazh në favor të shërbimeve sekrete ruse. Sipas Prokurorisë Federale të Gjermanisë, ai dyshohet se ka mbledhur informacione me rëndësi ushtarake, përfshirë të dhëna për prodhimin e mjeteve të blinduara, municioneve dhe lëndëve shpërthyese.
I dyshuari, i identifikuar si Vadym Y., u arrestua në landin e Brandenburgut, rreth 85 kilometra në perëndim të Berlinit.
Dyshohet se siguronte informacione për industrinë e mbrojtjes
Sipas prokurorëve gjermanë, Vadym Y. dyshohet se ka qenë në kontakt me një shërbim sekret rus, përmes një ndërmjetësi, të paktën që nga korriku i vitit 2025.
Përveç informacioneve mbi prodhimin e pajisjeve dhe materialeve ushtarake, ai akuzohet se ka siguruar të dhëna për personelin dhe instalimet ushtarake që lidhen me mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s.
Autoritetet gjermane bëjnë të ditur se një pjesë e informacionit ishte e disponueshme publikisht, ndërsa të dhëna të tjera dyshohet se janë siguruar përmes kontakteve me persona të lidhur me industrinë evropiane të mbrojtjes.
Gjermania shton masat kundër spiunazhit
Arrestimi ndodh në një kohë kur Gjermania ka shtuar përpjekjet për t’iu kundërvënë aktiviteteve të dyshuara të spiunazhit, sabotazhit dhe sulmeve hibride që autoritetet i lidhin me Rusinë.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar për rritjen e kërcënimeve ndaj sigurisë së vendit, duke përmendur edhe fushatat e dezinformimit dhe operacionet e dyshuara të inteligjencës ruse.
I dyshuari pritet të dalë para gjyqtarit
Sipas raportimit, i arrestuari pritet të paraqitet para një gjyqtari hetues në Gjykatën Federale të Drejtësisë, i cili do të shqyrtojë urdhrin e arrestit dhe do të vendosë nëse ai do të mbahet në paraburgim.
Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, i dyshuari gëzon prezumimin e pafajësisë.

