Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nisur një proces për rinovimin e drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive, duke u kërkuar ministrave që të marrin dorëheqjet e parevokueshme të drejtorëve. Nisma vjen në një kohë kur në Tiranë po zhvillohen protesta kundër Qeverisë socialiste, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit.
Sipas burimeve të Report TV, nga ky proces përjashtohen për momentin tri fusha: policia, arsimi dhe shëndetësia. Drejtuesit e institucioneve të tjera do të përfshihen në një proces vlerësimi, që synon rinovimin e administratës publike.
Drejtorët duhet të dorëzojnë dorëheqjen dhe raportin e punës
Sipas raportimit, Rama u ka kërkuar ministrave që të kërkojnë dorëheqjet e drejtorëve që janë në varësi të tyre.
Krahas dorëheqjes, secili drejtues duhet të dorëzojë edhe një listë të punëve të realizuara gjatë ushtrimit të detyrës, për të dokumentuar performancën e tij.
Pas këtij vlerësimi, drejtorët aktualë mund të kenë mundësinë të rikandidojnë për pozitat që mbajnë. Megjithatë, kandidaturat e tyre do t’i nënshtrohen shqyrtimit nga ministrja e re e Administratës Publike, Adea Pirdeni.
Synohet përfshirja e kandidatëve të rinj në administratë
Sipas burimeve të cituara nga Report TV, procesi synon të krijojë mundësi për identifikimin dhe emërimin e drejtuesve të rinj, të cilët mund të vijnë edhe nga shoqëria civile dhe nga fusha të tjera jashtë administratës publike.
Qëllimi i deklaruar i kësaj nisme është që përzgjedhja e drejtuesve të bëhet mbi bazën e meritokracisë dhe jo përmes kompromiseve politike.
Nismë e ngjashme edhe në vitin 2025
Rama kishte ndërmarrë një nismë të ngjashme edhe në korrik të vitit 2025, rreth dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në atë kohë, kryeministri u kishte kërkuar disa kryetarëve të bashkive të largonin drejtorët për shkak të problematikave të ndryshme në qytete, kryesisht lidhur me furnizimin me ujë, ndërtimet pa leje dhe pastërtinë.
Pas këtij urdhri, 21 drejtorë të Bashkisë së Vlorës kishin nënshkruar dorëheqjet, ndërsa largime të drejtuesve ishin raportuar edhe në bashki të tjera.
Nisma e re vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa protestuesit në Tiranë po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.

