Vlera e drogës në tregun e paligjshëm vlerësohet mbi 1 milion euro. Plantacioni ishte ngritur në një magazinë të izoluar pranë Torinos, ku shqiptari dyshohet se kujdesej për kultivimin e bimëve.
Një shtetas shqiptar, me banim në Asti të Italisë, është arrestuar pasi karabinierët zbuluan një plantacion me 1,206 bimë kanabisi në një magazinë në Coassolo Torinese, pranë Torinos.
Sipas raportimit të gazetës italiane Corriere della Sera, shqiptari u gjet brenda objektit dhe dyshohet se ishte përgjegjës për mirëmbajtjen e plantacionit, vlera e të cilit në tregun e paligjshëm përllogaritet të kalojë 1 milion euro.
Magazina ndodhej në një zonë të pyllëzuar dhe të vështirë për t’u arritur. Hetuesit kishin disa muaj që ndiqnin gjurmët e aktivitetit të dyshuar, derisa arritën të identifikonin vendndodhjen e plantacionit.
Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën bimë në faza të ndryshme të lulëzimit, si dhe pajisje për ndriçim, ajrim dhe ngrohje, të instaluara për të krijuar kushtet e nevojshme për kultivimin e kanabisit.
Sipas të dhënave të bëra publike, pajisjet furnizoheshin me energji elektrike përmes një lidhjeje të paligjshme. Teknikët e rrjetit vlerësuan se konsumi ditor arrinte nga 80 deri në 100 kilovat-orë.
Hetimi dhe sekuestrimet
Operacioni ishte pjesë e një hetimi më të gjerë të karabinierëve të Astit për trafik të dyshuar droge dhe mbajtje të paligjshme armësh. Në kuadër të tij u kryen 13 kontrolle në Asti, në disa komuna të provincës dhe në Coassolo Torinese.
Pas arrestimit, shqiptari u dërgua në burgun e Ivreas, ndërsa magazina dhe pajisjet e përdorura për kultivimin e kanabisit u sekuestruan.

