NP “Termokos” ka njoftuar se furnizimi me ngrohje në Prishtinë do të ndërpritet përkohësisht në orët e para të së shtunës, më 24 tetor, për shkak të ndaljes së kontrolluar të njësisë B2 të TC “Kosova B”.
Sipas njoftimit, kjo ndalesë do të pamundësojë furnizimin me avull, i cili nevojitet për prodhimin e energjisë ngrohëse.
Gjatë kësaj periudhe, ngrohja do të vazhdojë vetëm për klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përmes ngrohtores që mbulon nevojat e kësaj qendre.
Termokos ka bërë të ditur se ndërprerja do të shfrytëzohet për të adresuar vështirësitë e paraqitura në qarkullimin e ngrohjes gjatë ditëve të para të sezonit.
Kompania do të jetë në koordinim me KEK-un për rikthimin e furnizimit me avull, ndërsa furnizimi me ngrohje për të gjithë konsumatorët do të rikthehet sapo të krijohen kushtet e nevojshme.
Termokos u ka kërkuar konsumatorëve mirëkuptim dhe i ka falënderuar për durimin gjatë kësaj ndërprerjeje të përkohshme.

