Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se ligji që synon mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të rishqyrtohet në Kuvend brenda katër javësh dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parapara.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka theksuar se rikthimi i ligjit në Kuvend, me kërkesë të PDK-së, nuk nënkupton tërheqje nga nisma dhe as zbehje të qëndrimit të partisë.
Ajo ka thënë se katër javët shtesë janë dhënë për t’iu përgjigjur pikëpyetjeve të ngritura, për ta forcuar bazën juridike të ligjit dhe për të siguruar zbatimin e tij në praktikë.
“Për PDK-në dhe brenda PDK-së, nuk ka asnjë temë tjetër përveç jetësimit të këtij ligji, për të cilin jemi plotësisht të bashkuar dhe të vendosur”, ka shkruar Çitaku.
Ajo u është drejtuar edhe qytetarëve që protestuan dhe mbështetësve të kësaj nisme, duke siguruar se zotimi i partisë mbetet në fuqi.
“Zotimi që kemi marrë para jush qëndron. Dhe këtë do ta çojmë deri në fund!”, ka përfunduar Çitaku.

