Kandidati për guvernator të New York-ut dhe bashkëpunëtori i afërt i Donald Trump, Bruce Blakeman, ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan, duke premtuar mbështetje për shqiptarët dhe familjet e tyre.
Bruce Blakeman, kandidat për guvernator të New York-ut, ka shprehur vlerësim për komunitetin shqiptaro-amerikan, duke e cilësuar atë si një komunitet punëtor dhe të përkushtuar për një jetë më të mirë.
“Kam shumë miq shqiptarë. Ata janë popull punëtor”, është shprehur Blakeman, duke theksuar se synimet e këtij komuniteti përfshijnë krijimin e vendeve cilësore të punës, uljen e taksave, rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e arsimit për fëmijët.
Ai ka vënë në pah kontributin e shqiptarëve në fusha të ndryshme të shoqërisë amerikane, përfshirë shkencën, arsimin, teknologjinë dhe drejtësinë.
Kandidati për guvernator ka theksuar gjithashtu se do të mbështesë komunitetin shqiptaro-amerikan, duke vlerësuar rëndësinë që shqiptarët i kushtojnë familjes, punës dhe përpjekjeve për të siguruar një të ardhme më të mirë.
Qëndrimi për emigracionin
Duke folur për politikat e emigracionit, Blakeman është shprehur në favor të largimit nga Shtetet e Bashkuara të emigrantëve me të kaluar kriminale.
Ndërkaq, sa u përket personave që qëndrojnë në SHBA pa dokumentacion të rregullt, por që nuk janë përfshirë në veprimtari kriminale, ai ka deklaruar se duhet të ekzistojnë mundësi që ata të jetojnë dhe të punojnë në vend.
Deklaratat e Blakeman vijnë në kuadër të qëndrimeve të tij ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan dhe çështjeve që prekin emigrantët në Shtetet e Bashkuara.

