Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë miratuar publikimin e versioneve me më pak redaktime të transkripteve të dëshmive të dhjetë dëshmitarëve në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas vendimit të publikuar më 26 tetor 2026, Trupi Gjykues II ka vlerësuar se pjesët e transkripteve që nuk kërkojnë redaktime të mëtejshme mund të bëhen publike, duke ruajtur njëkohësisht identitetin, privatësinë dhe sigurinë e dëshmitarëve dhe personave të tjerë.
Trupi gjykues ka miratuar propozimet për redaktime të paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me disa ndryshime. Ndërkohë, ka vlerësuar se disa redaktime shtesë të kërkuara nga Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve nuk janë të nevojshme, veçanërisht në rastet kur informacionet përkatëse janë tashmë publike.
Prokuroria duhet t’i dorëzojë versionet e reja
Në bazë të vendimit, Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet t’ia dorëzojë Zyrës së Regjistrimit versionet e transkripteve me më pak redaktime.
Zyra e Regjistrimit duhet të sigurojë që redaktimet e miratuara të zbatohen edhe në versionet në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe në incizimet audio-vizuale, për aq sa lejohet nga mundësitë teknike.
Vendimi i plotë është publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

