Kryeministri Albin Kurti ka pritur në Zyrën e Kryeministrit një delegacion prej 11 anëtarësh nga nëntë shtete të ndryshme, pjesë e Komisionit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Në takim është diskutuar për bashkëpunimin, sigurinë rajonale dhe rrugën e Kosovës drejt NATO-s.
Përmes një postimi, Kurti ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është prioritet strategjik, që synon të kontribuojë në paqen e qëndrueshme dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.
Në fokus siguria dhe kapacitetet mbrojtëse të FSK-së
Sipas Kurtit, gjatë takimit është diskutuar për përparimin demokratik të Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe situatën e sigurisë në vend dhe në rajon.
Një pjesë e bisedimeve iu kushtua edhe forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe aftësimit profesional të pjesëtarëve të saj, në përputhje me politikat dhe standardet e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Kurti ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s për avancimin e objektivave strategjike të Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

