Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë, pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), lidhur me trajtimin e rastit të viktimës A. Z., në Vitomiricë të Pejës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ndaj zyrtarëve është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga IPK-ja, për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e tyre në këtë rast.
Të suspenduarit përfshijnë ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefin e Hetimeve Rajonale, komandantin dhe zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, shefin e Sektorit të Hetimeve, ushtruesin e detyrës së shefit të Sektorit të Operativës, komandantin e Nënstacionit Policor në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.
Policia: Suspendimet janë në interes të hetimeve
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se suspendimet janë ndërmarrë në interes të zhvillimit të pavarur të hetimeve, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale.
Institucioni ka theksuar se do të bashkëpunojë me institucionet përkatëse gjatë procesit hetimor, duke riafirmuar përkushtimin për integritet, paanshmëri dhe trajtim të drejtë të rasteve.
Hetimi nga IPK-ja pritet të sqarojë nëse ka pasur shkelje në veprimet ose mosveprimet e zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rastit.

