Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjeneralin Alexus Grynkewich, me të cilin ka diskutuar për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe bashkëpunimin me NATO-n.
Në takim, të mbajtur më 29 tetor në Prishtinë, Grynkewich shoqërohej nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, dhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Kurti: Shpenzimet për mbrojtje kalojnë 2% të BPV-së
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti bëri të ditur se për katër vjet radhazi shpenzimet e Kosovës për mbrojtje kanë kaluar 2 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).
Ai theksoi se Kosova po vazhdon investimet në trajnime dhe pajisje ushtarake, me synim rritjen e profesionalizmit dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Kurti njoftoi gjithashtu se javën e kaluar janë betuar 515 ushtarë të rinj, ndërsa këtë javë 209 rekrutë kanë nisur stërvitjen bazë.
Sipas tij, Kosova është përpara planit dhjetëvjeçar për zhvillimin e FSK-së dhe synon ta përmbushë atë para vitit 2028.
Mirënjohje për NATO-n dhe KFOR-in
Gjatë takimit, Kurti vlerësoi rolin e NATO-s në çlirimin e Kosovës dhe shprehu mirënjohje për kontributin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Kosovë dhe rajon.
Takimi u zhvillua në kuadër të kontakteve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të lartë ushtarakë të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara.

