Adem Ademi, Fatmir Fazliu dhe Ali Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve, janë identifikuar përmes analizave të reja të ADN-së, pas zhvarrimeve në Kalludër dhe Jabukë. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti.
Tre intelektualë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, janë identifikuar përmes raporteve të reja të ADN-së.
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur e ka informuar për rezultatet e analizave, në bazë të të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti.
Sipas njoftimit të Kurtit, të tre ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve.
Ishin rrëmbyer në prillin e vitit 1999
Kurti ka bërë të ditur se tre intelektualët dhe veprimtarët e njohur të çështjes kombëtare ishin rrëmbyer nga forcat e armatosura serbe në prillin e vitit 1999 dhe më pas ishin zhdukur me dhunë.
Identifikimi është bërë pas analizave të reja të ADN-së nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, së bashku me institucionet përkatëse, tashmë ka informuar familjet e të identifikuarve.
Kurti u ka shprehur ngushëllime familjeve, duke theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës.
Ai ka kërkuar gjithashtu drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës dhe ka kritikuar Serbinë për mohimin e krimeve dhe moszbardhjen e plotë të fatit të të zhdukurve.
