Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 16 persona, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale ndërkombëtare të trafikut të kokainës, e drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela. Në kuadër të hetimit janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 9.1 milionë euro.
Sipas SPAK-ut, organizata dyshohet se ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut drejt Evropës, duke shfrytëzuar rrjete bashkëpunëtorësh në Bolivi, Paraguaj, Brazil, Uruguaj dhe vende të tjera.
Hetimi është mbështetur në komunikimet e zbërthyera nga platformat e koduara SkyECC dhe EncroChat, si dhe në bashkëpunimin me autoritetet e huaja.
Si funksiononte organizata kriminale?
Sipas hetimeve, Ervis Çela merrej me sigurimin e kokainës në Bolivi dhe rajonin e Andeve, financimin e blerjeve dhe kontaktet me furnizuesit. Ai dyshohet se organizonte edhe transportimin e drogës, përfshirë përdorimin e avionëve të vegjël drejt Paraguajit.
Ndërkaq, Franc Çopja kishte rol në financimin e fazave të mëtejshme të trafikut, organizimin e transportit drejt Evropës dhe nxjerrjen e ngarkesave nga portet evropiane, për t’i shpërndarë më pas në treg.
Në strukturën e organizatës përmenden edhe Fadil Balla, i njohur si Julian Balla, si dhe Petrit Lakatos, i njohur si Petrit Sulejmani, i cili sipas SPAK-ut kishte rol në nxjerrjen e ngarkesave nga porti i Antverpenit, magazinimin dhe shpërndarjen me shumicë në Holandë. Mikolvan Mullaj përmendet si koordinator i aktivitetit kriminal.
Kokaina fshihej mes mallrave industriale
Sipas dosjes hetimore, kokaina sigurohej në laboratorët e rajonit të Andeve, veçanërisht në Bolivi, të cilët në komunikimet e koduara quheshin “kuzhinat”.
Më pas, droga transportohej drejt Paraguajit, ku magazinohej dhe përgatitej për eksport. Për kamuflimin e saj përdoreshin kompani tregtare, ndërsa kokaina fshihej në ngarkesa me produkte industriale, stuko patinimi dhe bojëra.
Kontejnerët transportoheshin përmes korridorit lumor Paraguaj–Parana drejt portit të Buenos Airesit në Argjentinë. Prej aty, ngarkesat dërgoheshin me anije drejt porteve evropiane, kryesisht në Hamburg, Antverpen, Barcelonë dhe Roterdam.
Sipas SPAK-ut, gjatë udhëtimit ndryshohej destinacioni i anijeve, në mënyrë që ato të drejtoheshin drejt porteve ku organizata kishte krijuar kushtet për nxjerrjen e drogës.
“Kuzhina”, “hipja” dhe “dalja” – kodet e trafikut
Hetuesit kanë zbardhur edhe kodet që përdornin anëtarët e dyshuar të organizatës.
- “Kuzhina” nënkuptonte laboratorët ku prodhohej kokaina në Bolivi.
- “Hipja” nënkuptonte ngarkimin e drogës në anije në Paraguaj.
- “Dalja” nënkuptonte nxjerrjen e kokainës nga portet evropiane.
Për transferimin e parave të përfituara nga trafiku, organizata dyshohet se përdorte sistemin informal financiar “Hawala”, përmes një rrjeti ndërmjetësish.
Sa kushtonte trafikimi i kokainës?
SPAK ka zbardhur edhe kostot e operacionit kriminal. Sipas hetimeve, një kilogram kokainë blihej për 4.100 deri në 4.200 dollarë, çmim që përfshinte transportin deri në portin e Paraguajit.
Për ngarkimin e saj në anije paguheshin edhe 1.300 dollarë ryshfet për kilogram, ndërsa nxjerrja e drogës nga portet evropiane kushtonte 15 për qind të ngarkesës, pagesë që zakonisht bëhej me vetë kokainën.
Sekuestrohen rreth 9.1 milionë euro pasuri
Paralelisht me hetimet për trafikun e drogës, SPAK ka gjurmuar edhe pasuritë që dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal.
GJKKO ka vendosur sekuestro mbi pasuri me vlerë totale rreth 9.1 milionë euro. Në mesin e tyre janë:
- “Solis Farm” në Baldushk të Tiranës, përfshirë kuotat e shoqërisë dhe pronat e lidhura me të.
- Resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj të Durrësit, me hotele, restorante, objekte shërbimi dhe ambiente tregtare. Investimi në resort vlerësohet në mbi 463 milionë lekë.
- Një vilë dykatëshe në Dhërmi, në kompleksin “Ionian Olea”, me vlerë të tregut rreth 1 milion euro.
- Prona në Sharrë të Tiranës, ku përfshihen kapanone industriale dhe objekte tregtare.
- Interesa ekonomikë në kompaninë “Giam Konstruksion” në Kavajë.
- “Check Company” në Tiranë, në emër të Franc Çopjas, si dhe 25 automjete në pronësi të shoqërisë, me vlerë të raportuar rreth 70 milionë lekë.
Sipas ekspertizës financiare, Albin Çela dhe Riza Çela kishin investuar mbi 50 milionë lekë për blerjen e tokave në Sharrë, ndërsa ndërtimi i katër objekteve në këto prona vlerësohej në mbi 1.2 milionë euro.
16 personat e dërguar për gjykim
SPAK ka dërguar për gjykim këta persona:
- Franc Çopja
- Ervis Çela
- Fadil Balla, alias Julian Balla
- Riza Çela
- Ardjan Çela
- Maringlen Mullaj
- Petrit Lakatos, alias Petrit Sulejmani
- Renato Musaku
- Gert Çerma
- Marenglen Kamami
- Soni Pepa, alias Vilson Pepa
- Albin Çela
- Elidon Çela
- Denis Daja
- Ditjon Pepa
- Kujtim Gjyla
Të pandehurit akuzohen, varësisht nga roli i dyshuar, për trafikim të narkotikëve, pjesëmarrje ose organizim të organizatës kriminale, pastrim të produkteve të veprës penale dhe vepra të tjera penale. Disa prej tyre akuzohen edhe për ndërtim të paligjshëm.
SPAK ka bërë të ditur se hetimet kanë dokumentuar disa episode të sekuestrimit të kokainës në porte evropiane, përfshirë 255 kilogramë në Roterdam në vitin 2019, 495 kilogramë në Barcelonë dhe 300 kilogramë në Roterdam në vitin 2020, si dhe 17 tonë në Hamburg në vitin 2021.
Vetëm këto pesë episode të përmendura në dosje përfaqësojnë rreth 18.65 tonë kokainë të sekuestruar.
Çështja tashmë i është kaluar gjykatës, ndërsa personat e përfshirë konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.

