Një incident me armë zjarri ka ndodhur në objektin e Ministrisë së Ekonomisë, ku një zyrtar i kësaj ministrie dyshohet se ka kërcënuar një koleg të tij, i cili njëkohësisht është edhe udhëheqësi i drejtpërdrejtë i tij.
Ministria e Ekonomisë ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se ngjarja është raportuar në Policinë e Kosovës dhe se zyrtari i dyshuar është arrestuar pas ndërhyrjes së organeve kompetente.
“Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe, pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse, zyrtari i dyshuar është arrestuar. Zyrtarët dëshmitarë dhe personat e përfshirë në rast janë intervistuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre para organeve kompetente”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Sipas Ministrisë, zyrtari i dyshuar ishte subjekt i një procedure disiplinore që nga muaji shtator, për çështje që ndërlidhen me shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive të punës.
Ministria e Ekonomisë e ka cilësuar incidentin si tejet serioz dhe të papranueshëm, duke kërkuar që kërcënimet me armë zjarri dhe çdo formë e rrezikimit të jetës e shëndetit të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë.
Po ashtu, institucioni ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet që janë në kompetencën e tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për trajtimin institucional të rastit dhe adresimin e përgjegjësive eventuale disiplinore apo administrative.
“Siguria e punonjësve dhe garantimi i një mjedisi të sigurt dhe profesional të punës mbeten prioritet i Ministrisë së Ekonomisë”, thuhet më tej në reagim.
Ministria ka njoftuar se rasti është duke u hetuar nga organet kompetente dhe se nuk do të komentojë më tej rrethanat e incidentit deri në pranimin e raportit përkatës.

