Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Arnaud Dusaucy, në vizitën e tij të parë pas marrjes së detyrës.
Përmes një njoftimi, Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Sipas tij, në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe akreditimin e atasheut të mbrojtjes së Kosovës në Belgjikë.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte zbatimi i letërqëllimit të përbashkët ndërmjet dy shteteve, me synim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes.
Në fund të takimit, Maqedonci i ka uruar ambasadorit Dusaucy suksese në detyrën e re dhe ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.

