Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se udhëheqja e re e Serbisë duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe realitetin politik të shekullit XXI.
Këtë qëndrim Kurti e shprehu të hënën pasdite, gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Paris School of International Affairs (PSIA), ku foli për dialogun me Serbinë, përgjegjësinë për sulmin në Banjskë dhe procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti theksoi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duhet të përfshijë edhe përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, si dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi si arkitektin kryesor të sulmit ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Ky duhet të jetë gjithashtu një proces përmes të cilit qeveria e Serbisë, e cila së fundmi ka kaluar nëpër një ndryshim të udhëheqjes, të arrijë ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka kërkuar gjithashtu që Serbia të ndërpresë fushatën kundër njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë atë që ai e përshkroi si instrumentalizim të kundërshtimit rus ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Kurti për zgjerimin e Bashkimit Evropian
Gjatë bashkëbisedimit, Kurti foli edhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian ka marrë një rëndësi të re pas agresionit rus kundër Ukrainës.
Ai theksoi se kjo urgjencë nuk duhet të krijojë një Evropë me standarde të ndryshme për vendet e rajonit, ku disa shtete përparojnë drejt integrimit, ndërsa të tjerat mbeten në një proces të paqartë.
Si çështje tjetër të rëndësishme, kryeministri përmendi njohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
Kurti argumentoi se këto shtete duhet të marrin parasysh rrethanat historike në të cilat u krijua shteti i Kosovës, duke përmendur represionin, spastrimin etnik dhe gjenocidin e përjetuar nga populli i Kosovës.
Sipas tij, këto rrethana nuk mund të barazohen me lëvizjet separatiste me të cilat, siç u shpreh, ndonjëherë bëhen paralele.
Deklaratat e Kurtit vijnë në një kohë kur zhvillimet politike në Serbi dhe e ardhmja e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbeten çështje të rëndësishme për marrëdhëniet në rajon dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

