Personat që kanë dalë në pension gjatë vitit 2026 në Gjermani mund të jenë të detyruar të dorëzojnë deklaratën tatimore nëse pensioni i tyre vjetor bruto kalon rreth 14.821 euro, edhe nëse në fund nuk duhet të paguajnë tatim. Për pensionistët e rinj, detyrimi varet nga shuma e pensionit të marrë gjatë vitit dhe nga të ardhurat e tjera që mund të kenë.
Shqiptarët që jetojnë në Gjermani dhe marrin pension nga sigurimi ligjor gjerman duhet të kenë kujdes me detyrimet ndaj zyrës së tatimeve (Finanzamt).
Sipas rregullave tatimore gjermane, pensionet në parim janë të tatueshme. Për personat që kanë dalë në pension gjatë vitit 2026, 84 për qind e pensionit llogaritet si e ardhur e tatueshme, ndërsa 16 për qind mbeten të përjashtuara nga tatimi.
Deutsche Rentenversicherung, institucioni gjerman i sigurimit pensional, i dërgon automatikisht të dhënat për pagesat e pensionit tek administrata tatimore.
Megjithatë, fakti që një pension është i tatueshëm nuk do të thotë se pensionisti duhet patjetër të paguajë tatim. Duhet dalluar detyrimi për të dorëzuar deklaratën tatimore nga detyrimi për të paguar tatim.
Nga cila shumë pensionisti duhet të dorëzojë deklaratën tatimore?
Për vitin 2026, kufiri bazë i të ardhurave të përjashtuara nga tatimi (Grundfreibetrag) është 12.348 euro për personat beqarë.
Për çiftet e martuara që tatohen së bashku, ky kufi është dyfish, pra 24.696 euro.
Në rastin e pensionistëve që kanë dalë në pension gjatë vitit 2026, llogaritja bëhet duke marrë parasysh pjesën e tatueshme të pensionit dhe zbritjen standarde prej 102 eurosh për shpenzimet e lidhura me të ardhurat.
Si rezultat, një pensionist beqar që ka marrë pension gjatë gjithë vitit 2026 duhet të dorëzojë deklaratën tatimore nëse pensioni i tij bruto vjetor kalon afërsisht 14.821 euro, ose rreth 1.235 euro në muaj.
Në këtë llogaritje ende nuk zbriten kontributet për sigurimin shëndetësor dhe atë të kujdesit afatgjatë.
Në vitin e parë llogaritet vetëm pensioni i marrë gjatë atij viti
Për personat që dalin në pension gjatë vitit 2026, nuk merret parasysh pensioni që do të merrnin për 12 muaj, por vetëm shuma që u është paguar realisht gjatë atij viti.
Për shembull, një person që ka dalë në pension në korrik 2026 ka marrë vetëm gjashtë pagesa mujore deri në fund të vitit.
Në këtë rast, detyrimi për të dorëzuar deklaratën tatimore fillon kur pensioni bruto mujor arrin rreth 2.470 euro, nëse nuk ka të ardhura të tjera.
Për këtë arsye, shumë persona që dalin në pension në gjysmën e dytë të vitit mund të mos e kenë detyrimin për deklarim në vitin e parë, por mund ta kenë atë në vitin pasues.
Edhe nëse nuk paguani tatim, mund të jeni të detyruar të dorëzoni deklaratën
Një pikë e rëndësishme është se detyrimi për deklarim nuk nënkupton automatikisht se pensionisti duhet të paguajë tatim.
Pas llogaritjes së të ardhurave, nga shuma përkatëse mund të zbriten edhe kontributet për sigurimin shëndetësor dhe atë të kujdesit afatgjatë. Sipas shembullit të publikuar, këto kontribute mund të përbëjnë rreth 12 për qind të pensionit bruto.
Për shembull, një pensionist i ri me pension bruto vjetor prej 15.000 eurosh duhet të dorëzojë deklaratën tatimore, por pas zbritjeve të lejuara, të ardhurat e tatueshme mund të bien në rreth 10.600 euro. Në këtë rast nuk do të ketë detyrim për pagesë të tatimit.
Shembuj për pensionistët beqarë që kanë dalë në pension gjatë vitit 2026:
| Pensioni bruto vjetor | Detyrimi për deklaratë | Tatimi |
|---|---|---|
| 14.000 euro | Jo | Nuk ka |
| 15.000 euro | Po | Nuk ka |
| 17.000 euro | Po | Nuk ka |
| Rreth 17.500 euro e lart | Po | Mund të ketë tatim, fillimisht në shuma të vogla |
Këto shembuj vlejnë vetëm nëse pensionisti nuk ka të ardhura të tjera, si pension shtesë nga ish-punëdhënësi (Betriebsrente), të ardhura nga qiraja apo punë anësore.
Nëse ka të ardhura të tjera, kufiri për detyrimin e deklarimit mund të arrihet më herët.
Afati për dorëzimin e deklaratës tatimore për vitin 2026, në rast se ajo dorëzohet pa ndihmën e një këshilltari tatimor, është 31 korrik 2027.
Finanzamt mund t’ju kërkojë deklarata edhe për shtatë vite të kaluara
Pensionistët që janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën tatimore nuk duhet ta injorojnë këtë obligim.
Finanzamt merr automatikisht të dhënat për pensionet nga Deutsche Rentenversicherung dhe mund të konstatojë nëse një person ka pasur detyrim për deklarim.
Në raste të tilla, zyra e tatimeve mund të kërkojë deklarata tatimore deri në shtatë vjet prapa.
Nëse nga llogaritja rezulton se duhet paguar tatim shtesë, mund të aplikohen edhe kamata dhe pagesa shtesë për vonesë. Nëse nuk rezulton tatim për t’u paguar, zakonisht nuk vendoset gjobë për vonesën, por detyrimi për ta dorëzuar deklaratën mbetet.
Deutsche Rentenversicherung ofron falas vërtetimin për pensionin
Për ta lehtësuar plotësimin e deklaratës tatimore, Deutsche Rentenversicherung ofron një vërtetim falas me të gjitha të dhënat e nevojshme për tatimet.
Në këtë dokument përfshihen shumat përkatëse dhe udhëzimet se në cilat rubrika të formularëve duhet të vendosen ato.
Vërtetimi mund të kërkohet në internet, përmes telefonit ose në një qendër këshillimi të institucionit.
Personat që e kanë kërkuar një herë këtë dokument, në vitet pasuese e marrin automatikisht, zakonisht nga mesi i janarit deri në fund të shkurtit.
Të dhënat për pensionin dërgohen edhe në mënyrë elektronike tek Finanzamt, prandaj, sipas Deutsche Rentenversicherung, nuk është më e domosdoshme që ato të shënohen përsëri në formularin Anlage R.
Megjithatë, kjo mund të jetë e dobishme për të kontrolluar paraprakisht nëse do të ketë pagesë shtesë apo kthim të tatimit.
Pensionistët duhet të kujdesen që në deklaratë të përfshijnë edhe zbritjet e tjera të mundshme, si shpenzimet mjekësore, punët dhe riparimet në shtëpi apo donacionet, pasi këto nuk i raportohen automatikisht Finanzamt-it.
