Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”, ka deklaruar se Kosova synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian përmes një procesi të bazuar në merita dhe reforma, duke përjashtuar çdo mundësi për trajtim të privilegjuar apo rrugë të shkurtra drejt integrimit.
“Ne nuk duam rrugë të shkurtra, proces të përshpejtuar apo hyrje nga dyert e pasme në Bashkimin Evropian, por një proces të bazuar në meritë”, ka theksuar Kurti.
Ai ka përmendur mosnjohjen e Kosovës nga pesë shtete anëtare të BE-së – Spanja, Qiproja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – si një prej pengesave kryesore në rrugën evropiane të vendit. Sipas tij, Sllovakia paraqet rezistencën më të madhe.
Kryeministri sllovak, Robert Fico, ka shprehur vazhdimisht afërsi politike me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai gjithashtu kishte marrë pjesë në fushatën zgjedhore në Serbi, në tetor, në mbështetje të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Sipas “Le Monde”, mosnjohja nga këto pesë shtete bën që Kosova ende të mos e ketë marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kurti ka theksuar se Kosova është i vetmi vend në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka marrë këtë status.
Pas liberalizimit të vizave për zonën Schengen, të arritur në vitin 2024, Prishtina synon të avancojë drejt fazës së ardhshme të integrimit evropian, pa kërkuar trajtim të veçantë. Për katër vjetët e ardhshëm, Kurti ka veçuar si prioritete reformat në drejtësi, administratën publike dhe arsim.
Kurti për zgjedhjet në Serbi: E dimë kush humbi, por jo kush fitoi
Duke folur për zhvillimet politike në Serbi dhe rezultatet e zgjedhjeve, në të cilat Lista Studentore shënoi fitore, Kurti ka shprehur një optimizëm të kujdesshëm.
“Ne e dimë se kush humbi, por ende nuk e dimë se kush fitoi”, ka deklaruar ai, duke iu referuar paqartësive rreth përfaqësimit dhe zhvillimeve politike pas zgjedhjeve.
Kërkon mbështetjen e Francës për investime dhe Lojërat Mesdhetare
Gjatë vizitës treditore në Paris, ku mori pjesë në Forumin e Paqes, Kurti është takuar dy herë me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Sipas raportimit të “Le Monde”, Qeveria e Kosovës po kërkon mbështetjen e Parisit për disa projekte, ndër to edhe organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 në Prishtinë.
Kosova ka siguruar një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), e cila synon të mbështesë projektimin e fshatit ndërkombëtar të sportistëve.
Në aspektin ekonomik, Kurti po synon të tërheqë investime të huaja në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës. Sipas gazetës franceze, më 10 nëntor, kompania franceze Akuo Energy fitoi një tender publik për ndërtimin e kapaciteteve me erë prej 98 megavatësh.
Po ashtu, Kosova po kërkon rreth 500 milionë euro për financimin e ndërtimit të pesë digave, të cilat synojnë të përmbushin nevojat e industrisë, bujqësisë dhe amvisërive.
Hekurudhat, pjesë e zhvillimit ekonomik dhe sigurisë
Një tjetër çështje e trajtuar në intervistë ishte modernizimi i transportit hekurudhor. Sipas “Le Monde”, Qeveria e Kosovës po synon ndërtimin e tri linjave të reja hekurudhore dhe modernizimin e një linje tjetër.
Kurti e ka cilësuar transportin hekurudhor si një instrument të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për sigurinë e vendit. Ai ka kërkuar mbështetjen e Francës për integrimin e Kosovës në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit.
“Shikoni Ukrainën, atje shkohet me tren, jo me aeroplan. Prandaj, ky është mjeti më rezistent i transportit”, ka deklaruar Kurti.
Paralajmëron rikthimin e historisë në skenën botërore
Në fillim të intervistës, të realizuar të martën, Kurti ka folur edhe për luftën në Ukrainë dhe ndikimin e agresionit rus në sigurinë evropiane.
“Agresioni rus ndaj Ukrainës tregon se historia po rikthehet në skenën botërore me më shumë forcë se kurrë në këtë shekull”, ka thënë Kurti.
Sipas “Le Monde”, deklarata e tij pasqyron shqetësimin për cenueshmërinë e Kosovës përballë zhvillimeve të reja të sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Gazeta franceze, në përshkrimin e saj, vëren se pavarësisht këtyre rreziqeve, Kurti nuk shfaq shenja të dukshme shqetësimi.

