Një shtetas i huaj është ndaluar për 48 orë në Prishtinë, nën dyshimin për keqpërdorim të kartelave bankare dhe hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, të publikuar të mërkurën.
Sipas njoftimit, ndalimi është bërë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në kuadër të veprimeve hetimore të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
I dyshuari dyshohet se, përmes ndërhyrjeve të paautorizuara në sistemet kompjuterike, ka keqpërdorur kartelat bankare të shtetasve të huaj, duke kryer blerje të ndryshme në platforma online, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material.
Gjatë kontrollit dhe bastisjes në një lokacion në rajonin e Prishtinës, autoritetet kanë sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente që pritet të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Në mesin e sendeve të sekuestruara janë dy kompjuterë, dy telefona celularë, dy USB dhe dokumente të ndryshme.
Sipas Prokurorisë, personi dyshohet për veprat penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, nga neni 277/D.
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë bashkëpunimin në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim e sipër.

