Rrjetet kriminale shqiptare në Romë dyshohet se po zgjerojnë aktivitetin e tyre përtej trafikut të drogës, duke depërtuar edhe në sektorë të ekonomisë së ligjshme përmes investimeve në biznese dhe pasuri të paluajtshme.
Sipas raportimeve të mediave italiane, bazuar në hetimet e autoriteteve, këto grupe kanë konsoliduar praninë në disa zona të kryeqytetit italian, ndërsa trafiku i narkotikëve mbetet burimi kryesor i aktivitetit të tyre.
Grupet shqiptare dyshohet se kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të furnizimit me shumicë të kokainës dhe marihuanës, ndërsa shpërndarjen në rrugë, në disa raste, ua besojnë personave nga komunitetet marokene dhe tuniziane.
Rrjete të organizuara në disa zona të Romës
Sipas raporteve hetimore, aktiviteti i këtyre rrjeteve është veçanërisht i pranishëm në zonat Ponte Milvio, Acilia, Castelli Romani, bregdetin jugor të Romës, San Basilio dhe Tor Bella Monaca.
Raportet e Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) dhe Drejtorisë së Qarkut Antimafia (DDA) në Romë i përshkruajnë grupet kriminale shqiptare si ndër organizatat e huaja më të fuqishme dhe më të konsoliduara në Itali, veçanërisht në fushën e trafikut të drogës.
Sipas këtyre vlerësimeve, nuk bëhet fjalë për një organizatë të vetme, por për disa grupe dhe familje kriminale, të lidhura përmes marrëdhënieve të afërta familjare dhe interesave të përbashkëta.
Lidhjet farefisnore, sipas hetuesve, forcojnë besnikërinë brenda grupeve dhe e bëjnë më të vështirë depërtimin e policisë në strukturat e tyre, identifikimin e hierarkive dhe zbulimin e drejtuesve.
Vështirësitë për autoritetet nuk lidhen vetëm me gjuhën apo përdorimin e komunikimeve të koduara, por edhe me mënyrën se si janë organizuar këto rrjete. Arrestimi i një pjesëtari mund të godasë një grup të caktuar, por jo domosdoshmërisht të çojë te drejtuesit e gjithë rrjetit.
Drejtuesit dyshohet se veprojnë nga jashtë Italisë
Një tjetër sfidë për hetuesit italianë është identifikimi dhe arrestimi i personave që dyshohet se drejtojnë këto organizata, por që në shumë raste ndodhen në Shqipëri ose në shtete të tjera.
Ndërkohë, në Itali veprojnë persona të angazhuar në shpërndarjen e drogës dhe menaxhimin e aktiviteteve në terren.
Në këtë kontekst, media italiane përmend një operacion të realizuar këtë vit nga Policia e Shqipërisë në bashkëpunim me Interpolin, gjatë të cilit në Tiranë u arrestua një 46-vjeçar shqiptar, i kërkuar që nga viti 2022.
Ai dyshohet se ishte drejtues i një rrjeti të specializuar në importimin e kokainës me destinacion Romën.
Megjithatë, sipas raportimit, arrestime të tilla nuk mjaftojnë për të ndalur aktivitetin e rrjeteve kriminale, pasi hetimet në Romë dhe provincat përreth vazhdojnë, ndërsa sasitë e mëdha të drogës vazhdojnë të qarkullojnë.
Investime në biznese dhe pasuri të paluajtshme
Përtej trafikut të drogës, hetimet italiane kanë evidentuar edhe zgjerimin e aktiviteteve ekonomike të këtyre rrjeteve.
Sipas raportimeve, në Romë dhe zonat përreth, persona të dyshuar si pjesë e këtyre strukturave kanë investuar në bare, restorante, struktura turistike dhe prona të paluajtshme.
Autoritetet dyshojnë se një pjesë e këtyre investimeve financohen me para nga aktivitetet kriminale, të cilat më pas futen në ekonominë e ligjshme përmes transaksioneve bankare dhe bizneseve.
Drejtoria e Qarkut Antimafia (DDA) ka dokumentuar, sipas raportimit, raste të përdorimit të kompanive fiktive për të fshehur blerjen e pronave, apartamenteve me qira dhe bizneseve tregtare.
Ky fenomen konsiderohet shqetësues për ekonominë lokale, pasi kapitali me origjinë të paligjshme mund të krijojë konkurrencë të padrejtë dhe të mundësojë depërtimin e organizatave kriminale në sektorë të ligjshëm të ekonomisë.
Bashkëpunim me organizatat mafioze italiane
Një tjetër aspekt i evidentuar nga hetimet është bashkëpunimi i dyshuar mes rrjeteve shqiptare dhe organizatave mafioze italiane, veçanërisht ‘Ndrangheta-s dhe Camorra-s.
Sipas DIA-s, rrjetet shqiptare kanë zhvilluar marrëdhënie bashkëpunimi me ‘Ndrangheta-n, të bazuara në interesa të përbashkëta logjistike dhe furnizimin me narkotikë me çmime konkurruese.
Për këtë arsye, hetuesit italianë po përqendrohen jo vetëm në identifikimin e personave të përfshirë në aktivitetet e paligjshme, por edhe në gjurmimin e lëvizjeve financiare, pronësinë e bizneseve, kompanitë fiktive dhe investimet e dyshuara.
Sipas analizës së mediave italiane, sfida kryesore për autoritetet është çmontimi i gjithë mekanizmit ekonomik që u mundëson këtyre rrjeteve të ruajnë dhe zgjerojnë ndikimin e tyre në Romë.Huffpost

