Zvonko Veselinoviq, raportohet se është larguar këtë mëngjes nga Sarajeva drejt Stambollit, në një kohë kur në Serbi po zhvillohen arrestime të biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me pushtetin e mëparshëm të Aleksandar Vuçiqit.
Sipas mediave serbe Veselinoviq ka udhëtuar me një fluturim të hershëm nga Sarajeva drejt Stambollit, duke përdorur pasaportën serbe.
Emri i tij është i njohur edhe për autoritetet e Kosovës. Në dhjetor të vitit 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar ndaj Veselinoviqit urdhërarrest vendor dhe ndërkombëtar, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Ai kërkohej nën dyshimin për disa vepra penale, përfshirë pjesëmarrjen ose organizimin e një grupi kriminal. Rasti lidhej me ngjarjet në veri të Kosovës pas ndërhyrjes së njësive speciale.
Veselinoviq konsiderohet një nga biznesmenët me ndikim në Serbi. Emri i tij është përmendur edhe në mesazhe të publikuara më herët nga aplikacioni i koduar Sky, të cilat pretendohet se dëshmojnë lidhje të afërta me persona të pushtetit të mëparshëm, përfshirë Andrej Vuçiqin, vëllain e ish-presidentit serb.
Në raportet e policisë dhe të shërbimeve serbe të sigurisë, Veselinoviq është përmendur si një nga figurat kryesore të një grupi të dyshuar për përfshirje në kontrabandë të drogës, armëve dhe naftës, fajde dhe pastrim parash.
Ndër vite, ai është përballur me disa procedura penale në Serbi, përfshirë dyshime për trafik droge, vjedhje të kamionëve dhe nxjerrje të paligjshme të rërës dhe zhavorrit. Sipas raportimeve, shumica e këtyre proceseve kanë përfunduar me vendime lirimi.
Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara e vendosën Veselinoviqin në listën e sanksioneve, duke e lidhur me një rrjet të dyshuar të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Largimi i tij i raportuar drejt Turqisë vjen në një moment kur në Serbi po zhvillohen arrestime të personave të lidhur me pushtetin e mëparshëm të Vuçiqit.

