Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke pretenduar se nuk po i përmbush obligimet financiare dhe po tenton të ndryshojë Masterplanin e miratuar.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Rama iu drejtua deputetit Basha dhe ministrit Gashani, duke i akuzuar se po përdorin foltoren e Kuvendit për të shpërndarë, sipas tij, informacione të pavërteta dhe për të shmangur përgjegjësinë e Qeverisë.
Rama tha se letrat me vërejtje të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, të drejtuara Qeverisë së Kosovës, dëshmojnë se cilat janë problemet dhe cilat obligime duhet të përmbushen.
Ai theksoi se mbështet organizimin e Lojërave dhe përfshirjen e qyteteve të tjera, por kërkoi që kjo të bëhet në përputhje me marrëveshjet dhe Masterplanin e miratuar.
Sipas Ramës, Prishtina dhe ai personalisht kanë vetëm tri nga 12 votat në Komitetin Organizativ, ndërsa shumicën vendimmarrëse e kanë Qeveria dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
“Përgjegjësinë për vendimet e tyre duhet ta marrin para qytetarëve”, ka shkruar Rama.
Dy shqetësimet e ngritura nga Rama
Kryetari i Prishtinës ka renditur dy çështje që, sipas tij, po e rrezikojnë organizimin e Lojërave Mesdhetare:
- Mospagesën e obligimeve ndaj Komitetit Ndërkombëtar, për të cilat, sipas tij, Qeveria ka dhënë garanci.
- Përpjekjet për ndryshimin e Masterplanit të miratuar nga institucionet e Kosovës dhe Komiteti Ndërkombëtar.
Rama ka akuzuar gjithashtu kryeministrin Albin Kurti se po e përdor këtë ngjarje për agjendë politike, duke nxitur përçarje mes qyteteve dhe duke hedhur akuza për t’iu shmangur përgjegjësisë.
Ai paralajmëroi se afatet për pagesat, infrastrukturën dhe përmbushjen e obligimeve po afrohen, ndërsa çdo vonesë, sipas tij, e rrit rrezikun për realizimin e Lojërave.
“Qeveria duhet t’i përmbushë obligimet e veta, tani!”, ka përfunduar Rama reagimin e tij.
Deri në publikimin e këtij reagimi, në tekstin e Ramës nuk përfshihet përgjigjja e Qeverisë ndaj këtyre akuzave.

