Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e institucioneve kryesore të arsimit të lartë në vend, ku është diskutuar për harmonizimin e proceseve të akreditimit dhe riakreditimit me Strategjinë e re të Arsimit 2035+.
Në takim, Çeku, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Naim Gashi, priti kryetarin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), Avni Berisha, ushtruesin e detyrës së drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Arianit Krasniqi, si dhe përfaqësuesen e Konferencës së Rektorëve, prorektoren e Universitetit “Haxhi Zeka”, Alma Shehu.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, aktualisht është në proces hartimi i Strategjisë së re të Arsimit 2035+. Gjatë takimit, palët janë pajtuar që proceset e akreditimit dhe riakreditimit institucional, si dhe të programeve të studimit, të jenë në përputhje me objektivat e kësaj strategjie.
Strategjia synon që zhvillimi dhe ristrukturimi i arsimit të lartë t’u përgjigjen drejtpërdrejt prioriteteve zhvillimore të vendit dhe nevojave të tregut të punës.
Në takim është theksuar gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Ministrisë, Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe universiteteve, me qëllim të ndërtimit të një sistemi të arsimit të lartë cilësor, konkurrues dhe të integruar në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.
