Në ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, sot u promovua libri “Ditari i një mësuesi në flakët e luftës – Kujtime, përjetime dhe dëshmi nga ditët e luftës”, i autorit të ndjerë Metë Nimani.
Promovimi u organizua në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të autorit, ndërsa libri sjell një dorëshkrim me vlerë të veçantë dokumentare dhe historike, duke ruajtur origjinalitetin e shkrimeve dhe dëshmive të tij.
Në emër të Universitetit “Fehmi Agani”, të pranishmit i përshëndeti dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Ferdi Kamberi. Për jetën dhe veprimtarinë e autorit foli kolegu dhe bashkëpunëtori i tij, Mal Haziri, i cili ndau kujtime dhe vlerësime për rrugëtimin jetësor e profesional të Metë Nimanit.
Vlerësime për librin dhe rëndësinë e tij dhanë edhe recensentët Muhamet Gllagjani dhe Blerim Canaj, të cilët theksuan dimensionin dokumentar, historik dhe njerëzor të veprës.
Kujtime dhe vlerësime për autorin ndanë gjithashtu Jahë Kokaj, ish-bashkëpunëtor i Metë Nimanit, Fatmir Limaj, luftëtar dhe bashkëveprimtar i periudhës së luftës, si dhe Hysen Brahimaj, koleg dhe njohës i afërt i tij.
Aktiviteti u moderua nga Elda Gacaferi, kryetare e Parlamentit të Studentëve
të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Në një atmosferë kujtese dhe respekti, promovimi riktheu në vëmendje figurën e Metë Nimanit dhe rëndësinë e ruajtjes së dëshmive personale e historike për brezat e ardhshëm.
Në përfundim, djali i autorit, njëherësh redaktor përgjegjës i librit, shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit, bashkëpunëtorët dhe të pranishmit që kontribuuan në këtë ngjarje kushtuar jetës dhe veprës së babait të tij.




