Bashkimi Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me votimin e mundshëm të së enjtes në Kuvendin e Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një reagim publik, BE-ja ka vlerësuar se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit.
Në veçanti, shqetësimet lidhen me pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe sigurimin e llogaridhënies efektive. BE-ja ka ngritur gjithashtu pikëpyetje lidhur me kushtetutshmërinë e ndryshimeve të propozuara.
Sipas reagimit, që nga kthimi i ligjit në Kuvend për rishqyrtim, Bashkimi Evropian është angazhuar për t’ua përcjellë autoriteteve të Kosovës shqetësimet dhe pritshmëritë e tij. BE-ja thekson se para çdo miratimi duhet të zhvillohen konsultime paraprake, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
Në anën tjetër, edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka shprehur mbështetje të plotë për qëndrimin e Bashkimit Evropian, duke deklaruar se pajtohet plotësisht me reagimin e publikuar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

