Disa prej bankave më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përballur me probleme teknike në shërbimet bankare online, duke u shkaktuar vështirësi mijëra klientëve në qasjen në llogaritë e tyre dhe kryerjen e transaksioneve financiare.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, problemet janë regjistruar të hënën, më 16 nëntor, në shërbimet digjitale të bankave Chase, Bank of America, Wells Fargo dhe U.S. Bank.
Mijëra përdorues kanë raportuar vështirësi përmes platformës Downdetector, e cila monitoron ndërprerjet e shërbimeve në internet.
Ankesat kanë të bëjnë kryesisht me pamundësinë për t’u kyçur në llogaritë bankare përmes aplikacioneve në telefon dhe faqeve zyrtare të bankave. Disa klientë kanë raportuar gjithashtu probleme me transfertat dhe operacionet e tjera financiare.
Chase konfirmon problemet teknike
Shërbimi për mbështetjen e klientëve i bankës Chase ka konfirmuar se janë shfaqur probleme në platformat e saj digjitale.
Sipas njoftimit të raportuar nga mediat, ekipet teknike janë angazhuar për identifikimin e defektit dhe rikthimin e funksionimit normal të shërbimeve.
Deri në momentin e raportimit, nuk ishte bërë i ditur shkaku i saktë i problemeve që prekën shërbimet bankare.
Probleme të tjera teknologjike në SHBA gjatë ditëve të fundit
Incidenti vjen pas raportimeve për ndërprerje të tjera të shërbimeve teknologjike në Shtetet e Bashkuara.
Ditë më parë, probleme në shërbimet e Microsoft kishin ndikuar në funksionimin e platformave Outlook, Teams dhe Copilot.
Ndërkohë, një incident tjetër në sistemet e kontrollit të trafikut ajror kishte shkaktuar pengesa në operimin e fluturimeve në aeroportet amerikane.
Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare që konfirmojnë ndonjë lidhje ndërmjet këtyre incidenteve.
Po ashtu, nuk është konfirmuar që problemet në shërbimet bankare të jenë shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik.
Autoritetet dhe institucionet përkatëse pritet të sqarojnë shkaqet e ndërprerjeve, ndërsa bankat janë përqendruar në rikthimin e shërbimeve për klientët e tyre.Burimi:La Repubblica

