Kosova renditet e para në Evropë për humbjen neto të popullsisë si pasojë e migrimit, me një normë prej 8.4 banorësh për çdo 1.000 banorë në vit. Këto të dhëna, të bazuara në projeksionet e Kombeve të Bashkuara, janë bërë pjesë e një reagimi publik të Artan Nimanit, i cili ka ngritur shqetësimin për pasojat e largimit të qytetarëve nga vendi.
Artan Nimani, përmes një postimi në Facebook, ka tërhequr vëmendjen te shifrat e publikuara në raportin World Population Prospects 2024 të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilave Kosova kryeson listën e vendeve evropiane me humbjen më të madhe neto të popullsisë nga migrimi për vitin 2026.
Sipas të dhënave të paraqitura në grafik, Kosova ka një normë prej minus 8.4 banorësh për çdo 1.000 banorë në vit, ndërsa në vendin e dytë renditet Shqipëria me minus 8.2.
Pas tyre vijnë Moldavia me minus 5.7, Mali i Zi me minus 4.5, Maqedonia e Veriut me minus 3.2, Bosnja dhe Hercegovina me minus 2.4, Lituania me minus 1.7, Rumania me minus 1.5, ndërsa Serbia dhe Bullgaria me nga minus 0.9 banorë për 1.000 banorë në vit.
Nimani: Kosova nuk humb vetëm banorë, por edhe kapital njerëzor
Në reagimin e tij, Nimani e cilëson këtë prirje si një alarm që nuk duhet të injorohet, duke theksuar se largimi i të rinjve, profesionistëve dhe familjeve nënkupton humbje të kapitalit njerëzor, fuqisë punëtore dhe potencialit zhvillimor të vendit.
Sipas tij, migrimi nuk mund të ndalet vetëm përmes deklaratave patriotike apo thirrjeve që qytetarët të qëndrojnë në Kosovë. Ai vlerëson se njerëzit qëndrojnë aty ku shohin perspektivë, ku puna vlerësohet, arsimi ofron mundësi dhe drejtësia funksionon.
Nimani thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor përfaqësohen gjerësisht në këtë renditje, duke e cilësuar largimin e popullsisë si një sfidë të përbashkët të rajonit.
Paralajmëron për pasojat në ekonomi dhe sistemin pensional
Sipas Nimanit, nëse kjo prirje vazhdon, pasojat do të ndihen në tregun e punës, sistemin pensional, arsim, ekonomi dhe strukturën demografike të Kosovës.
Ai ngre edhe çështjen e përgjegjësisë institucionale për krijimin e kushteve që qytetarët të kenë arsye të qëndrojnë dhe të kthehen në vendlindje.
Në këtë drejtim, Nimani kërkon një strategji të mirëfilltë kombëtare për zhvillim, punësim cilësor, mbështetje të familjes dhe rikthimin e profesionistëve nga diaspora.
“Një shtet nuk matet vetëm me territorin që ka, por edhe me aftësinë për t’i mbajtur njerëzit e tij brenda tij”, shkruan Nimani.
Ai përfundon reagimin duke theksuar se migrimi është e drejtë individuale, por zbrazja e një vendi është përgjegjësi që duhet trajtuar seriozisht.




