Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka përmbyllur me humbje edicionin e pestë të Ligës së Kombeve, pasi të martën mbrëma u mposht 3:0 nga Irlanda në Dublin. Megjithatë, Dardanët kanë arritur ta ruajnë vendin në Ligën B edhe për edicionin e ardhshëm.
Ndeshja nisi mirë për Kosovën, e cila krijoi disa mundësi shënimi përmes Lindon Emërllahut dhe Vedat Muriqit. Megjithatë, rrjedha e takimit ndryshoi në minutën e 26-të, kur mbrojtësi Kreshnik Hajrizi ndali me dorë një top në vijën e portës.
Gjyqtari akordoi penallti për Irlandën dhe e përjashtoi Hajrizin me karton të kuq, duke e lënë Kosovën me dhjetë futbollistë.
Dy minuta më vonë, Troy Parrott realizoi nga pika e bardhë, duke kaluar vendasit në epërsi 1:0.
Pavarësisht përpjekjeve të Kosovës, Irlanda e ruajti avantazhin deri në përfundim të pjesës së parë.
Dy gola të tjerë në pjesën e dytë
Irlanda e nisi fuqishëm pjesën e dytë dhe në minutën e 50-të dyfishoi epërsinë.
Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, shkaktoi penallti, ndërsa Troy Parrott u tregua sërish i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar golin e dytë personal.
Rezultatin përfundimtar 3:0 e vendosi Jack Moylan në minutën e 75-të, pas një goditjeje të saktë me kokë.
Kosova, e cila kishte mungesa të rëndësishme në përbërje, nuk arriti të rikthehej në lojë, duke e mbyllur me humbje ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.
Kosova e treta në grup, Austria përfundon lidere
Pavarësisht humbjes, Kosova përfundoi në vendin e tretë të Grupit B3, me gjashtë pikë, duke siguruar qëndrimin në Ligën B.
Austria e fitoi grupin me 12 pikë, ndërsa Irlanda përfundoi e dyta me tetë pikë dhe do të luajë në plejof për ngjitje në Ligën A.
Izraeli mbeti në vendin e fundit me katër pikë, pasi barazoi 1:1 me Austrinë në ndeshjen e zhvilluar në Debrecen të Hungarisë.
Ky rezultat i mundësoi Kosovës ta ruajë pozitën e tretë dhe ta shmangë plejofin për mbijetesë në Ligën B.
Irlanda, ndërkohë, ka siguruar vendin në vazon e dytë për shortin e kualifikimeve të Kampionatit Evropian 2028, ndërsa Kosova do të jetë në vazon e tretë.
Shorti i kualifikimeve është paraparë të tërhiqet më 6 dhjetor.
Foda: Kartoni i kuq ndryshoi gjithçka
Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka vlerësuar se përjashtimi i Kreshnik Hajrizit ishte momenti vendimtar që ndikoi në rezultatin përfundimtar.
Sipas tij, Kosova ishte skuadra më e mirë gjatë 20–25 minutave të para dhe kishte mundësi të kalonte në epërsi.
Foda theksoi se luajtja me një futbollist më pak e vështirësoi ndjeshëm përballjen, veçanërisht pas golit të dytë të Irlandës.
Ai tha se ndeshjet e këtij edicioni dëshmuan dallimin e nivelit konkurrues ndërmjet Ligës B dhe Ligës C.
Përzgjedhësi shtoi se për përmirësimin e rezultateve në të ardhmen është e rëndësishme që futbollistët e Kosovës të kenë më shumë minuta aktivizimi në klubet e tyre.
Pavarësisht përfundimit me humbje, Kosova e realizoi objektivin e qëndrimit në Ligën B, ndërsa vëmendja tashmë zhvendoset te kualifikimet për Euro 2028.

