Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka miratuar shitjen e sistemeve raketore HIMARS dhe pajisjeve përcjellëse për Shqipërinë, në një paketë me vlerë rreth 210 milionë dollarë. Marrëveshja synon të forcojë kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe aftësinë e Forcave të Armatosura për të kryer goditje precize në distanca të gjata.
Sipas njoftimit zyrtar të DASH-it, Shqipëria ka kërkuar blerjen e dy sistemeve M142 HIMARS, gjashtë raketave të drejtuara GMLRS M31A2 dhe gjashtë pod-eve me koka luftarake alternative GMLRS M30A2.
Paketa përfshin gjithashtu pajisje të komunikimit, komandimit, transportit dhe mbështetjes logjistike, automjete ushtarake, sisteme radio-komunikimi, pajisje navigimi, pjesë këmbimi dhe mjete për mirëmbajtje. Në marrëveshje parashihen edhe trajnime për personelin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Financimi i blerjes do të bëhet përmes programit amerikan të financimit ushtarak për vendet e huaja (Foreign Military Financing).
DASH: Shitja do të forcojë kontributin e Shqipërisë në NATO
Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se shitja synon të përmirësojë sigurinë e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, duke i siguruar kapacitete për goditje precize me rreze të gjatë veprimi.
Sipas DASH-it, këto sisteme do t’i mundësojnë Shqipërisë të përballet më mirë me kërcënimet aktuale dhe të ardhshme, si dhe të rrisë kontributin e saj në planet mbrojtëse të Aleancës.
“Shitja e propozuar do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, duke përmirësuar sigurinë e një aleati të NATO-s”, thuhet në njoftim.
Më tej, DASH vlerëson se kapacitetet e reja do t’u mundësojnë forcave shqiptare të pengojnë, neutralizojnë dhe shkatërrojnë kërcënimet kundërshtare.
Departamenti Amerikan i Shtetit thekson gjithashtu se Shqipëria nuk pritet të ketë vështirësi në përfshirjen e këtyre pajisjeve dhe shërbimeve në Forcat e saj të Armatosura. Sipas vlerësimit amerikan, shitja nuk do ta ndryshojë ekuilibrin bazë ushtarak në rajon.
Lockheed Martin, kontraktori kryesor i projektit
Kontraktori kryesor për realizimin e projektit do të jetë kompania amerikane Lockheed Martin, prodhuesja e sistemeve HIMARS.
Për zbatimin e marrëveshjes parashihet që në Shqipëri të udhëtojnë deri në 15 përfaqësues të qeverisë amerikane dhe 15 përfaqësues të kompanisë, rreth dy herë në vit.
Vizitat do të shërbejnë për menaxhimin e programit, instalimin e pajisjeve dhe trajnimin e personelit shqiptar.

