Udhëheqësi i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, ka pranuar para Komisionit Hetimor Parlamentar se në rastin e Arlinda Zekajt nuk ishte hartuar plani individual, ndonëse një dokument i tillë është obligativ. Ai po ashtu ka deklaruar se nuk kishte bërë vlerësim të punës së zyrtarëve të përfshirë në këtë rast, ndërsa ka theksuar se institucioni përballet me mungesë të stafit.
Kelmendi, i cili është punësuar në Qendrën për Punë Sociale në vitin 2018, është intervistuar të mërkurën nga Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.
Gjatë dëshmisë, ai bëri të ditur se në shërbimin që udhëheq janë vetëm katër punëtorë, të cilët, sipas tij, përballen me ngarkesë të madhe të punës.
“Në shërbimin tim i kam vetëm katër punëtorë, për shkak të volumit kemi mungesë të punëtorëve. Së pari i kontrolloj dhe jam bashkëpunues me ta”, deklaroi Kelmendi.
Pranon se në rastin e Arlinda Zekajt mungoi plani individual
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e pyeti Kelmendin nëse legjislacioni kërkon hartimin e një plani individual për rastet e tilla dhe nëse një plan i tillë ishte përgatitur për rastin e Arlinda Zekajt.
Kelmendi pranoi se plani individual kishte munguar, duke sqaruar se dokumentacioni ishte plotësuar në një formë tjetër, por jo sipas standardeve të kërkuara.
Ai përmendi edhe mungesën e psikologes së QPS-së, e cila në atë kohë ishte në pushim të lehonisë.
“Po, ka pasur, në rastin konkret ka munguar plani. Është obligative, 05 ka qenë i plotësuar, është plotësuar në një formë tjetër, jo sipas standardit. Pasi ka përfunduar seanca, kam marrë një telefonatë se seanca ka përfunduar për shkak se punëtorja ka munguar. Psikologia e qendrës është në pushim të lehonisë, kemi thirrur psikologen tjetër”, tha ai.
Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, kërkoi sqarime se përse rasti kishte përfunduar në Qendrën për Punë Sociale.
Kelmendi tha se rasti ishte raportuar si dhunë në familje, ndërsa vlerësimin e nivelit të rrezikshmërisë e bën Policia.
“Ka ndodhur rasti, është raportuar si dhunë në familje. Nivelin e rrezikshmërisë e vlerëson policia, çdo informacion që e kemi ia bashkëngjisim, mbetet në vullnetin e punëtorit. E kemi planin e veprimit. QPS në momentin që raportohet rasti së pari i ofrohet siguria”, deklaroi Kelmendi.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e pyeti nëse kishte bërë vlerësim të punës së zyrtarëve që ishin përgjegjës për trajtimin e rastit.
“Po, në rastin konkret jo”, u përgjigj Kelmendi.
Në QPS-në e Pejës janë 50 raste aktive të dhunës
Gjatë intervistimit, deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, kërkoi të dijë sa raste të dhunës trajtohen nga Qendra për Punë Sociale në Pejë.
Kelmendi bëri të ditur se janë gjithsej 73 raste të dhunës, prej të cilave 50 janë aktive. Ai tha se QPS-ja ka gjithsej 1.150 dosje dhe se katër punëtorë janë të angazhuar në shërbimin përkatës.
“Janë 73 raste të dhunës, aktive janë 50. Katër punëtorë i kemi aktivë. Kemi raportime javore të dokumentuara. 70 shërbime janë në QPS. Total 1.150 dosje që kemi kryer shërbime aty, ndahet secila kategori”, deklaroi ai.
Kelmendi njoftoi gjithashtu se ndaj punëtorëve të përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt është iniciuar procedurë disiplinore.
Përplasje mes deputetëve për ekspertin e Komisionit
Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar u shoqërua edhe me përplasje verbale mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe anëtarit të Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Baloku.
Debati nisi pasi Rrahmani ngriti dyshime për konflikt të mundshëm interesi të ekspertit Skender Kandiq, duke përmendur punën e tij të mëparshme në Qendrën për Punë Sociale.
Rrahmani kërkoi që Kandiq të deklarohej nëse kishte konflikt interesi, ndërsa ky i fundit e mohoi një gjë të tillë.
“Unë para luftës kam punuar me QPS, pas luftës kam qenë drejtor në spitalin regjional, nuk kam asnjë konflikt interesi”, deklaroi Kandiq.
Anëtari i Komisionit nga VV-ja, Armend Baloku, kritikoi Rrahmanin duke thënë se ai kishte pasur mundësi ta shqyrtonte biografinë e ekspertit para votimit për përzgjedhjen e tij.
Rrahmani iu kundërpërgjigj duke e cilësuar Kandiqin figurë politike dhe duke akuzuar anëtarët e Komisionit për politizim të punës së tij.
“Është figurë politike. E keni politizu këtë komision. Ka qenë kandidat për deputet, e njihni shumë mirë, mundeni me aktru”, tha Rrahmani.
Kjo deklaratë nxiti reagimin e Balokut, i cili akuzoi Rrahmanin dhe rrethin e tij për mashtrim dhe përpjekje për ta kthyer mbledhjen në spektakël.
Përplasja vazhdoi me kritika personale mes dy deputetëve, ndërsa Rrahmani përmendi edhe një aktivitet të Balokut, duke iu referuar emërtimit të tij “Fara e Flliqt”.
Në Komision pritet të dëshmojë edhe kryetari i Pejës
Komisioni Hetimor Parlamentar është duke shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Në kuadër të punës së tij, Komisioni ka paraparë intervistimin e pesë dëshmitarëve nga institucionet përgjegjëse në Pejë.
Përveç Durim Kelmendit, në mesin e tyre janë Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale në Pejë; Shpat Morina, zyrtar i QPS-së; Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së; si dhe Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës.

