Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë historike të 28 Nëntorit, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe orientimin euroatlantik të vendit, gjatë pritjes së organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë për nder të Ditës së Pavarësisë.
Në fjalimin e tij, të publikuar në Facebook, Kurti ka rikujtuar rrugëtimin historik të shqiptarëve drejt lirisë dhe pavarësisë, nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, deri te çlirimi i Kosovës më 1999 dhe shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008.
Sipas kryeministrit, aspirata e shprehur në Kuvendin e Vlorës për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur vazhdon të ketë rëndësi edhe në ditët e sotme.
Kurti ka theksuar se Republika e Kosovës synon realizimin e kësaj aspirate përmes forcimit të demokracisë, garantimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, si dhe integrimit në strukturat euroatlantike.
Kosova dhe Shqipëria me 190 marrëveshje bashkëpunimi
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, Kurti i ka cilësuar ato si vëllazërore dhe strategjike, jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për paqen dhe sigurinë në Evropën Juglindore.
“Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë, por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar gjithsej 190 marrëveshje, një pjesë e të cilave janë zbatuar, ndërsa të tjerat janë në proces të zbatimit.
Këto marrëveshje përfshijnë fusha të rëndësishme, si arsimi, ekonomia, energjia, infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, siguria, kultura dhe diaspora.
Kurti: Kosova prej katër vjetësh përmbush kriterin prej 2 për qind të BPV-së për sigurinë
Kryeministri ka ritheksuar synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë.
Ai ka përmendur kontributin e Kosovës në mbështetjen e Ukrainës dhe pjesëmarrjen në stërvitjet e përbashkëta me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Kosova, edhe pa qenë anëtare e NATO-s, tash e 4 vjet rresht e ka plotësuar kriterin e investimeve për sigurinë në nivelin 2% të Bruto Produktit Vendor”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka shprehur gjithashtu mirënjohje për kontributin e aleatëve perëndimorë në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, duke theksuar përkushtimin për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe.
Nga Skënderbeu dhe Ismail Qemali te Adem Jashari
Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, Kurti ka veçuar disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, duke përmendur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, Kongresin e Manastirit të vitit 1908 dhe simbolikën e shumëfishtë të 28 Nëntorit.
Ai ka përkujtuar ngritjen e flamurit nga Skënderbeu në Krujë më 1443, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali në Vlorë më 1912, si dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurën e kryekomandantit Adem Jashari.
Sipas Kurtit, këto ngjarje përbëjnë themelet e identitetit kombëtar shqiptar dhe njëkohësisht bartin përgjegjësi për brezat e ardhshëm.
“Uroj të gjithë qytetarët e Kosovës, të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe të gjithë miqtë tanë të huaj për Ditën e Flamurit, që simbolizon vullnetin e kombit për mëvetësi, liri e pavarësi!”, ka përfunduar kryeministri.
Burimi: Fjalimi i kryeministrit Albin Kurti në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë

