Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se operacionet ushtarake kundër Iranit janë të financuara deri në fund të janarit, ndërsa ka paralajmëruar se marrja e kontrollit të Kongresit nga demokratët mund të pengojë vazhdimin e konfliktit. Sipas tij, ndërprerja e luftës në këtë fazë do të rrezikonte atë që ai e cilëson si “fitore totale” ndaj Iranit.
Në një intervistë për gazetën New York Post, Trump pretendoi se ushtria iraniane ka pësuar humbje të mëdha, duke përmendur flotën detare, forcën ajrore, sistemet kundërajrore dhe një pjesë të udhëheqjes së saj.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara mund ta përfundojnë luftën në çdo moment, por paralajmëroi se një ndërprerje e parakohshme do ta kthente rezultatin e operacionit nga fitore në humbje.
“Dua të them, nëse demokratët e bëjnë këtë, ata thjesht do ta marrin një fitore dhe do ta bëjnë humbje. Nuk e di se si mund ta bënin këtë politikisht, sepse ne kemi një fitore. Mund ta mbyllim atë luftë kur të duam”, deklaroi Trump.
Trump: Synimi nuk është ndryshimi i regjimit në Iran
Presidenti amerikan theksoi se objektivi kryesor i tij nuk është rrëzimi i regjimit në Teheran, por parandalimi i pajisjes së Iranit me armë bërthamore.
Ai shtoi se embargoja ndaj porteve iraniane do të vazhdojë të përdoret si instrument presioni, me synimin për të arritur një marrëveshje bërthamore.
“Thjesht nuk dua që ata të kenë një armë bërthamore. Nuk kam qenë kurrë pro ose kundër ndryshimit të regjimit, ky nuk ka qenë kurrë një kriter për mua”, u shpreh Trump.
Mundësia e rifillimit të komunikimit me Korenë e Veriut
Gjatë intervistës, Trump foli edhe për marrëdhëniet me Korenë e Veriut, duke lënë të hapur mundësinë e rifillimit të komunikimit me liderin Kim Jong Un.
Ai tha se ruan marrëdhënie të mira me të dhe se kontaktet mund të rifillojnë në çdo moment, ndërsa çështja e armëve bërthamore do të ishte një nga temat kryesore të diskutimit.
“Mund të fillojë menjëherë. Thjesht nuk po ndodh tani. Por mund të fillojë, dhe kjo do të kishte të bënte me armë bërthamore, e dini, etj. Por ai i ka armët, sepse ish-presidenti Bill Clinton nuk e ndaloi”, deklaroi Trump për New York Post.
Për luftën në Ukrainë: Nuk jam nën presion kohor
I pyetur për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, presidenti amerikan tha se nuk ka vendosur ndonjë afat kohor për përfundimin e konfliktit.
Trump u shpreh se dëshiron që lufta të përfundojë sa më shpejt, por theksoi se arritja e një marrëveshjeje varet nga gatishmëria e të dyja palëve.
“Nuk jam nën një afat kohor. Thjesht më pëlqen ta shoh të mbarojë. E dini, nuk na prek ne. Do të doja shumë ta bëja sot, por duhen dy veta për të kërcyer tango. Kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundoi presidenti amerikan.
Deklaratat e Trumpit vijnë në një kohë kur konflikti me Iranin, presioni për një marrëveshje bërthamore dhe përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë mbeten ndër çështjet kryesore të politikës së jashtme amerikane.

