Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka lënë mënjanë propozimet për të përdorur marrëveshjet tregtare dhe investimet amerikane si mjet për ta bindur Rusinë t’i japë fund luftës në Ukrainë. Sipas gazetës “Financial Times”, Moska ka treguar pak interes për projektet e propozuara në sektorët e energjisë dhe aviacionit.
Të dërguarit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë njoftuar zyrtarët evropianë se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet kompanive amerikane dhe ruse nuk është më pjesë qendrore e ofertës së Uashingtonit ndaj Moskës.
Lajmi, i bazuar në deklaratat e pesë zyrtarëve të informuar për ndryshimin e strategjisë, nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë.
“U bë mjaft e qartë se rusët nuk ishin të interesuar për këtë lloj gjëje”, ka deklaruar njëri prej zyrtarëve për “Financial Times”.
Projektet ekonomike nuk e bindën Moskën
Propozimet amerikane përfshinin investime në projektet ruse të naftës, në prodhimin e titanit, si dhe përfshirjen e investitorëve amerikanë në gazsjellësit Nord Stream.
Megjithatë, sipas gazetës, Rusia është tërhequr nga këto ide dhe ka vazhduar të këmbëngulë në kërkesat e saj territoriale dhe në lëshime të tjera nga Ukraina.
Këto kushte konsiderohen të papranueshme nga Kievi, duke e bërë edhe më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës.
Pengesat në negociata dhe sanksionet ndaj Rusisë
Ndryshimi i qasjes amerikane vjen në një periudhë kur përpjekjet diplomatike për arritjen e një armëpushimi ndërmjet Moskës dhe Kievit vazhdojnë të përballen me pengesa.
Ndërkohë, në tetor, administrata Trump lehtësoi përkohësisht disa sanksione amerikane ndaj karburanteve ruse. Ky vendim u ndërmor në kuadër të përpjekjeve për të rritur furnizimin në tregjet globale dhe për të ulur çmimet e energjisë.
Sipas raportimit të “Financial Times”, mungesa e interesit nga ana e Moskës për ofertat ekonomike amerikane ka bërë që Uashingtoni ta lërë këtë qasje në plan të dytë, ndërsa negociatat për Ukrainën mbeten të bllokuara nga mospajtimet politike dhe territoriale.

