Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në SHBA kanë zbuluar një ndërhyrje kibernetike në sistemet e tyre, përmes së cilës janë ekspozuar informacione të paklasifikuara. Sipas gazetës amerikane “The New York Times”, e cila citon zyrtarë amerikanë dhe persona të njohur me çështjen, incidenti ka prekur një sistem të përdorur për analizimin e të dhënave nga burime të hapura.
Bëhet fjalë për një rrjet kompjuterik që shfrytëzohet nga agjencitë e inteligjencës për të identifikuar dhe analizuar informacione me vlerë nga materiale publike dhe të paklasifikuara.
Nuk raportohet për ekspozim të materialeve të klasifikuara
Deri më tani nuk është bërë e qartë se cilat informacione konkrete janë komprometuar. Megjithatë, sipas burimeve të cituara nga “The New York Times”, materialet e klasifikuara nuk janë rrezikuar.
Dy persona të njohur me rastin kanë bërë të ditur se gjatë ndërhyrjes mund të jenë ekspozuar edhe informacione që u përkasin agjencive të tjera qeveritare amerikane.
Sistemet e inteligjencës me burime të hapura përpunojnë sasi të mëdha të dhënash, përfshirë informacione të disponueshme në treg, përmbajtje nga rrjetet sociale, imazhe satelitore dhe materiale të tjera të publikuara në internet.
Edhe pse shumë prej këtyre të dhënave janë publike, një pjesë sigurohet përmes kompanive që ofrojnë informacione kundrejt pagesës. Kur kombinohen me burime të tjera, ato mund të krijojnë një pasqyrë të detajuar dhe të zbulojnë informacione me rëndësi për sigurinë kombëtare.
Agjencitë amerikane mund t’i përdorin këto të dhëna së bashku me burime të tjera të inteligjencës për të hartuar analiza dhe vlerësime strategjike.
Një zyrtar i Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare deklaroi se incidenti nuk ka shkaktuar ndërprerje të kapaciteteve kritike, ndërsa CIA nuk pranoi të komentojë rastin.
Probleme edhe në institucione të tjera amerikane
Incidenti vjen në një periudhë kur disa institucione të rëndësishme amerikane kanë raportuar probleme në sistemet e tyre teknologjike.
Javën e kaluar, Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) përjetoi një ndërprerje disa ditore të rrjetit të saj të brendshëm të klasifikuar. Megjithatë, sipas zyrtarëve dhe bizneseve të përfshira, problemi nuk ishte shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik.
Po gjatë javës së kaluar, u raportua edhe për një ndërhyrje në Qendrën Kombëtare të Informacionit të Krimeve të FBI-së, një bazë kombëtare të dhënash që përdoret nga institucionet lokale, shtetërore dhe federale të zbatimit të ligjit për shkëmbimin e informacioneve mbi personat e dyshuar për vepra penale.
Ndërkohë, edhe Departamenti Amerikan i Bujqësisë zbuloi një incident të sigurisë kibernetike, i cili e detyroi institucionin të çaktivizonte përkohësisht disa aplikacione të brendshme. Rasti u raportua fillimisht nga platforma “Nextgov”, e cila mbulon zhvillimet teknologjike në institucionet federale amerikane.

