Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian përshpejtimin e procedurave për dhënien e statusit të vendit kandidat Kosovës, duke theksuar se, pothuajse katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim, ky proces nuk është më vetëm çështje rëndësie, por edhe urgjence.
Në deklarimin për media para fillimit të Samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Bruksel, Kurti ka kërkuar që përparimi demokratik, ekonomik dhe institucional i Kosovës të reflektohet në vendimmarrjen e institucioneve evropiane.
“Nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor, po kërkojmë vetëm që të njihet dhe pranohet përparimi i Kosovës, sa i përket avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe lirive civile”, ka deklaruar Kurti.
Kurti kërkon hapa konkretë nga BE-ja më 14 dhe 15 dhjetor
Kryeministri ka rikujtuar se në mesin e dhjetorit bëhen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilin e kishte dorëzuar personalisht në Pragë, gjatë presidencës çeke të BE-së.
Ai ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor pa statusin e kandidatit.
Sipas Kurtit, hapi i parë institucional duhet të jetë kërkesa drejtuar Komisionit Evropian për hartimin e një opinioni mbi aplikimin e Kosovës.
Kryeministri ka shprehur pritjen që një zhvillim i tillë të ndodhë gjatë takimit të ardhshëm të Këshillit Evropian, të paralajmëruar për 14 dhe 15 dhjetor 2026.
“Derisa statusi kandidat ka qenë gjithmonë tejet i rëndësishëm, tani është çështje urgjence”, ka theksuar ai.
Kurti: Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 4.7 për qind
Duke argumentuar kërkesën për avancimin e procesit integrues, Kurti ka përmendur rezultatet ekonomike dhe zhvillimet institucionale në Kosovë.
Sipas tij, gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 4.7 për qind, ndërsa zgjedhja e presidentes së re ka krijuar stabilitet institucional për vitet e ardhshme.
Ai ka kërkuar gjithashtu zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht atyre që lidhen me mobilitetin, njohjen e diplomave dhe mundësinë e lëvizjes së lirë të studentëve dhe profesionistëve në tregun rajonal të punës.
Kurti kërkon nga Serbia arrestimin dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit
Në kuadër të diskutimeve për sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar, kryeministri ka ngritur edhe çështjen e sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kurti ka kërkuar nga autoritetet serbe arrestimin dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e ka cilësuar si përgjegjës për organizimin e sulmit.
Ai ka kritikuar gjithashtu raportet që, sipas tij, Radoiçiq kishte me ish-presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke shprehur pritjen që qëndrimi i autoriteteve serbe ndaj tij të ndryshojë.
“Duhet ta mbrojmë dhe ta ruajmë shoqërinë nga kriminelët dhe, në të njëjtën kohë, duhet që BE-në ta zbatojmë si vlerë dhe jo vetëm si interes i ndërsjellë”, ka deklaruar Kurti.
Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor do ta shkurtonte kufirin e jashtëm të BE-së për 3 mijë kilometra
Kryeministri ka argumentuar se reforma e brendshme e Bashkimit Evropian dhe procesi i zgjerimit nuk duhet të trajtohen si procese që përjashtojnë njëri-tjetrin.
Sipas tij, anëtarësimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kontribuonte edhe në forcimin e sigurisë evropiane, duke e shkurtuar kufirin e jashtëm të BE-së për rreth 3 mijë kilometra.
“Duke përfshirë gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor në BE, Bashkimi Evropian bëhet Evropë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka ritheksuar gjithashtu se Kosova është harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian sa u përket sanksioneve kundër Federatës Ruse, pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Në përfundim, Kurti ka nënvizuar se marrja e statusit të vendit kandidat do t’i shërbente Kosovës edhe për avancimin e reformave në administratën publike, drejtësi dhe arsim.

