Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se mbrëmjen e së mërkurës, më 25 nëntor, është hapur për qarkullim një nga segmentet e rëndësishme rrugore të kryeqytetit, i cili mban emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Jim Xhema.
Përmes një publikimi në Facebook, Rama ka theksuar se emërtimi i këtij segmenti rrugor është një formë mirënjohjeje për kontributin e Xhemës në avancimin e çështjes shqiptare dhe shtetësisë së Kosovës.
“Jim Xhema, ky shqiptar i madh, prej sonte e ka emrin në zemër të Kryeqytetit”, ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka bërë të ditur se segmenti rrugor është hapur për qarkullim, duke e cilësuar atë si një nga segmentet më të rëndësishme të kryeqytetit.
“Kështu i nderon Prishtina njerëzit që kanë bë aq shumë për çështjen shqiptare dhe shtetësinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
Jim Xhema njihet si një nga veprimtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan, i angazhuar ndër vite në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare dhe pavarësisë së Kosovës.
Emërtimi i segmentit rrugor në kryeqytet, sipas Ramës, përbën një akt mirënjohjeje ndaj kontributit të tij.

