Qendra.info siguron raportin final të auditimit të Ministrisë së Arsimit, i cili nxjerr në pah një varg parregullsish gjatë mandatit të ish-rektorit Artan Dermaku. Në qendër të gjetjeve janë Rektorati, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, shpenzimet për udhëtime zyrtare, administrimi i projekteve ndërkombëtare, prokurimi dhe mosakreditimi i programeve të Fakultetit Juridik.
Raporti i auditimit që i parapriu dorëheqjes së ish-rektorit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Artan Dermaku, tashmë ka marrë një dimension të ri institucional.
Siç ka raportuar më herët Qendra.info, Këshilli Drejtues i universitetit, me vendimin nr. 02/2682, të datës 16 nëntor 2026, ka vendosur që raportin final të auditimit të brendshëm, së bashku me dokumentacionin përcjellës, t’ia dërgojë Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Sipas burimeve të Qendra.info, dokumentacioni është dorëzuar në Prokurori të mërkurën, më 18 nëntor 2026.
Qendra.info ka siguruar raportin e plotë prej 68 faqesh, i cili përmban gjetjet e auditorëve, rekomandimet, komentet e menaxhmentit të universitetit dhe vlerësimet përkatëse të auditimit.
Raporti mbulon aktivitetet financiare, procedurat e prokurimit dhe rekrutimit për vitin 2025 dhe periudhën janar–mars 2026.
Dokumentacioni nxjerr në pah probleme që shkojnë përtej shpenzimeve të zakonshme administrative, duke ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën e qeverisjes së universitetit, kontrollin financiar dhe përgjegjësinë e ish-menaxhmentit.
Mbi 116 mijë euro për udhëtime jashtë vendit – nga 32 mijë euro të planifikuara
Një nga gjetjet më të rëndësishme të raportit lidhet me shpenzimet për udhëtime zyrtare jashtë vendit.
Sipas auditorëve, për vitin 2025 Universiteti “Kadri Zeka” kishte planifikuar 32,000 euro nga buxheti i rregullt për udhëtime jashtë vendit, ndërsa shpenzimet e raportuara kanë arritur në 116,824.51 euro.
Kjo shumë përbën rreth 365 për qind të buxhetit fillestar të planifikuar, ose 84,824.51 euro më shumë se planifikimi.
Auditorët kanë evidentuar se përfituesit kryesorë të këtyre udhëtimeve kanë qenë pjesëtarët e menaxhmentit të lartë të universitetit.
Sipas raportit, shpenzimet individuale nga kategoritë ekonomike të shqyrtuara kanë qenë:
- Rektori – 19,262.85 euro;
- Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar – 47,982.39 euro;
- Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale – 11,689.46 euro.
Vetëm këto tri pozita së bashku rezultojnë me 78,934.70 euro shpenzime për udhëtime.
Në qendër të kësaj gjetjeje janë pozitat që gjatë periudhës përkatëse ushtroheshin nga ish-rektori Artan Dermaku dhe ish-prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Dukagjin Leka, si dhe pozita e dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale.
Identifikimi i personave sipas pozitave duhet të mbështetet edhe në vendimet përkatëse të emërimit gjatë periudhës së audituar.
Raporti evidenton gjithashtu raste të qëndrimeve të zgjatura jashtë vendit dhe një pjesëmarrje më të theksuar të personelit administrativ në udhëtime ndërkombëtare, krahasuar me personelin akademik.
Këto gjetje ngrenë pyetjen nëse udhëtimet kanë qenë proporcionale me nevojat institucionale dhe nëse përfitimet konkrete për universitetin kanë justifikuar nivelin e shpenzimeve.
Burimi: Raporti i auditimit, faqja 13.
Udhëtimi në SHBA: 12,862 euro shpenzime
Një rast që ka tërhequr vëmendjen e auditorëve është udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë tetorit 2025.
Sipas raportit, më 23 shtator 2025 ishte miratuar kërkesa për avanc për udhëtimin e rektorit, prorektorit për çështje ndërkombëtare dhe një mësimdhënëseje.
Konferenca për të cilën ishte organizuar udhëtimi ishte mbajtur nga 21 deri më 24 tetor 2025, ndërsa periudha e udhëtimit ishte nga 17 deri më 29 tetor.
Auditorët kanë evidentuar se pjesëmarrësit kishin qëndruar 13 ditë në SHBA, ndërkohë që konferenca kishte zgjatur tri ditë, sipas përshkrimit të raportit.
Shpenzimet individuale të evidentuara ishin:
- Pjesëmarrësi i parë – 4,290.00 euro;
- Pjesëmarrësi i dytë – 4,287.38 euro;
Në total, udhëtimi i kishte kushtuar buxhetit publik 12,862.66 euro.
Auditorët e kanë cilësuar këtë rast si shkelje të rëndë, duke iu referuar dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publikë që lidhen me dëmtimin dhe përdorimin e pasurisë shtetërore jashtë përcaktimit zyrtar.
Megjithatë, në komentet e përfshira në raport, menaxhmenti ka argumentuar se udhëtimi kishte përfshirë edhe aktivitete të tjera institucionale, takime akademike dhe vizita në universitete amerikane, përtej pjesëmarrjes në konferencë.
Mbetet që dokumentacioni përkatës të vlerësohet për të përcaktuar nëse kohëzgjatja dhe shpenzimet e udhëtimit kanë qenë të arsyetuara.
Burimi: Raporti i auditimit, faqja 14 dhe komentet e menaxhmentit në faqet 43–46.
Personeli administrativ i paraqitur si mësimdhënës në projektet ndërkombëtare
Një nga gjetjet më delikate të raportit lidhet me mënyrën e deklarimit dhe kompensimit të personelit në kuadër të projekteve ndërkombëtare.
Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit për pagesat e personelit në projektet STAND dhe SIAHDPC, auditorët kanë evidentuar se pjesëtarë të personelit administrativ ishin paraqitur në kategorinë e mësimdhënësve, përkatësisht të stafit akademik.
Sipas raportit, bëhet fjalë për pesë zyrtarë administrativë të universitetit dhe dy zyrtarë administrativë të Ministrisë së Arsimit.
Auditorët kanë ngritur çështjen e dhënies së informatave të gabuara ose të pasakta në dokumentacionin zyrtar, duke iu referuar dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Kjo gjetje prek drejtpërdrejt strukturat përgjegjëse për menaxhimin e projekteve ndërkombëtare, personat që kanë përgatitur dhe miratuar dokumentacionin, si dhe personelin e angazhuar në kategoritë përkatëse. Auditorët kanë konstatuar se pesë zyrtarë administrativë të Universitetit “Kadri Zeka” dhe dy zyrtarë administrativë të Ministrisë së Arsimit janë paraqitur në dokumentacionin e pagesave në cilësinë e mësimdhënësve (teacher), përkatësisht si staf akademik. Për këtë gjetje, auditorët i referohen nenit 56, paragrafi 4, nënparagrafi 4.8, të Ligjit për Zyrtarët Publikë, që trajton vënien në lajthitje të organit publik nëpërmjet dhënies së informatave të gabuara ose fshehjes së të dhënave zyrtare. Kjo gjetje ngre pikëpyetje serioze për përgjegjësinë e ish-menaxhmentit të universitetit, të drejtuar nga ish-rektori Artan Dermaku dhe ish-prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Dukagjin Leka. Kush e ka autorizuar kategorizimin e këtyre zyrtarëve si mësimdhënës
Në komentet e tij, menaxhmenti ka kundërshtuar konstatimin e auditorëve, duke argumentuar se kategoritë e angazhimit në projektet Erasmus+ përcaktohen sipas natyrës së punës së kryer dhe jo domosdoshmërisht sipas pozitës së rregullt të punës në institucion.
Pikërisht kjo mospërputhje ndërmjet vlerësimit të auditorëve dhe arsyetimit të menaxhmentit kërkon shqyrtim të dokumenteve origjinale të projekteve, deklarimeve individuale të punës dhe rregullave të donatorit.
Pyetja që shtrohet është nëse kategoritë e deklaruara kanë pasqyruar punën reale të personelit apo kanë shërbyer për të justifikuar kompensime që nuk përputheshin me angazhimet konkrete.
Burimi: Raporti i auditimit, faqja 14 dhe komentet e menaxhmentit në faqet 36–39.
Dyshime për pagesa të dyfishta në UKZ: Udhëtimet e Artan Dermakut dhe Dukagjin Lekës në fokus të auditorëve
Raporti final i auditimit të Ministrisë së Arsimit, i përcjellë në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka evidentuar raste të financimit të udhëtimeve zyrtare nga projektet ndërkombëtare dhe njëkohësisht nga buxheti i Universitetit “Kadri Zeka”.
Një nga rastet që ngre dyshime për pagesa të dyfishta lidhet me vizitën studimore në Manisa të Turqisë, ku kishin marrë pjesë ish-rektori Artan Dermaku, ish-prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka dhe një mësimdhënëse e universitetit.
Sipas auditorëve, ndonëse udhëtimi ishte financuar nga projekti Erasmus+, nga buxheti i universitetit ishin realizuar edhe pagesa të tjera në vlerë të përgjithshme prej 816.60 eurosh.
Menaxhmenti e ka kundërshtuar këtë gjetje, duke pretenduar se Universiteti i Manisas kishte mbuluar vetëm akomodimin dhe ushqimin, ndërsa udhëtimi me veturë ishte i nevojshëm për realizimin e vizitave të tjera institucionale.
Raporti evidenton gjithashtu se kërkesat për udhëtimet në të cilat merrte pjesë rektori inicioheshin nga prorektori, ndërsa miratoheshin nga vetë rektori.
Këto gjetje ngrenë pikëpyetje serioze për funksionimin e kontrollit financiar, autorizimin e shpenzimeve dhe mundësinë e mbivendosjes së pagesave nga burime të ndryshme financimi.
Tashmë mbetet që organet kompetente të verifikojnë nëse të njëjtat shpenzime janë mbuluar më shumë se një herë, kush i ka autorizuar pagesat dhe nëse buxhetit publik i është shkaktuar dëm financiar.
Udhëtimi – auditorët evidentojnë financim nga burime të ndryshme
Raporti trajton gjithashtu një udhëtim studimor, të realizuar nga 22 deri më 28 qershor, në kuadër të projektit Erasmus+ ICM.
Në këtë udhëtim kishin marrë pjesë rektori, prorektori dhe një mësimdhënëse e universitetit.
Sipas auditorëve, shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit ishin mbuluar nga Universiteti, ndërsa për mësimdhënësen ishin evidentuar edhe pagesa nga buxheti i UKZ-së.
Raporti përmend gjithashtu fatura për derivate dhe autostradë në vlerë prej 747.33 eurosh, prej të cilave 69.27 euro ishin paguar nga buxheti i UKZ-së, përkatësisht fondi burimor 10.
Kjo gjetje ngre dyshime për mbivendosje të burimeve të financimit dhe kërkon verifikim nëse të njëjtat kategori shpenzimesh janë mbuluar më shumë se një herë.
Vetëm krahasimi i faturave, pagesave bankare dhe dokumentacionit të financimit nga partneri ndërkombëtar mund të përcaktojë nëse bëhet fjalë për pagesa të dyfishta apo për mbulimin e kategorive të ndryshme të shpenzimeve.
Burimi: Raporti i auditimit, faqja 14.
Mbi 23 mijë euro për dreka zyrtare – pa dokumentacion të plotë për pjesëmarrësit
Një tjetër gjetje me prioritet të lartë lidhet me shpenzimet për dreka zyrtare dhe përfaqësim institucional.
Universiteti kishte planifikuar 10,000 euro për dreka zyrtare gjatë vitit 2025, ndërsa shpenzimet e përgjithshme kishin arritur në 23,660.51 euro.
Kjo përbën një tejkalim prej 13,660.51 eurosh, ose rreth 136.6 për qind mbi shumën e planifikuar.
Auditorët kanë evidentuar disa raste konkrete:
- 884.86 euro për një drekë zyrtare me rastin e ardhjes së ambasadorit të Shqipërisë;
- 995 euro për një drekë zyrtare me rastin e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa”;
- 651.80 euro për një drekë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas;
- 1,218.50 euro për shpenzime me rastin e takimit të fundvitit;
- 305 euro për një drekë zyrtare pa nënshkrimet e pjesëmarrësve.
Në disa prej rasteve të shqyrtuara, auditorët kanë evidentuar mungesë të dëshmive për pjesëmarrësit, mungesë të nënshkrimeve ose dokumentacion të pamjaftueshëm për arsyetimin e shpenzimeve.
Auditorët kanë paralajmëruar se miratimi i pagesave jashtë limiteve të lejuara, pa arsyetimet përkatëse, rrit rrezikun e keqpërdorimit të parasë publike.
Përgjegjësia institucionale për këtë kategori shpenzimesh lidhet me menaxhmentin që i ka autorizuar ato dhe me Zyrën e Financave, e cila ka pasur detyrimin e kontrollit të dokumentacionit përkatës.
Burimi: Raporti i auditimit, faqet 11–13.
Ish-rektori Artan Dermaku në fokus për mosparaqitjen e buxhetit para Këshillit Drejtues
Një nga konstatimet që prek drejtpërdrejt përgjegjësinë statutore të ish-rektorit Artan Dermaku lidhet me buxhetin e universitetit për vitin 2026.
Sipas raportit, buxheti nuk ishte paraqitur paraprakisht për shqyrtim dhe miratim në Këshillin Drejtues, ndonëse Statuti i universitetit përcakton kompetencat përkatëse të këtij organi dhe përgjegjësitë e rektorit në menaxhimin e buxhetit.
Kjo çështje kishte ndikuar edhe në vendimmarrjen lidhur me konkurset për personel akademik në Fakultetin e Shkencave Sociale.
Këshilli Drejtues kishte marrë vendim për anulimin e një konkursi dhe më pas kishte refuzuar një kërkesë tjetër për hapjen e konkurseve, duke iu referuar mungesës së miratimit paraprak të buxhetit.
Auditorët kanë konstatuar se mosmiratimi i buxhetit nga organi kompetent në kohën e duhur mund të sjellë pasoja të rënda administrative dhe financiare, duke penguar funksionimin normal të institucionit.
Menaxhmenti, ndërkaq, ka paraqitur argumentet e tij lidhur me procedurat buxhetore dhe kompetencat institucionale.
Çështja ngre pikëpyetje për respektimin e hierarkisë statutore dhe kufijve të kompetencave ndërmjet Rektoratit dhe Këshillit Drejtues.
Burimi: Raporti i auditimit, faqet 15–16.
Mbi 54 mijë euro obligime të papaguara ndaj kreditorëve
Auditorët kanë evidentuar gjithashtu se universiteti kishte obligime të papaguara ndaj kreditorëve në vlerë prej 54,000.30 eurosh.
Sipas raportit, një pjesë e obligimeve lidhej me procese gjyqësore dhe procedura përmbarimore, deri në ekzekutimin e tyre nga Thesari.
Auditorët kanë rekomanduar rritjen e llogaridhënies së zyrtarëve financiarë për të siguruar që faturat të pranohen dhe të paguhen brenda afateve ligjore.
Edhe në këtë rast, raporti përmban sqarime të menaxhmentit lidhur me natyrën e obligimeve dhe procedurat e ekzekutimit.
Kjo gjetje nuk dëshmon vetvetiu humbje financiare të barabartë me shumën e obligimeve, por evidenton rrezikun që vonesat dhe procedurat përmbarimore mund të krijojnë për buxhetin e universitetit.
Burimi: Raporti i auditimit, faqet 19–20.
Prokurime jashtë planit dhe shmangie të procedurave të hapura
Probleme të rëndësishme janë evidentuar edhe në fushën e prokurimit publik.
Gjatë vitit 2025, nga 32 procedura të realizuara, nëntë nuk kishin qenë të përfshira në planin vjetor të prokurimit.
Ndërsa gjatë periudhës janar–mars 2026, nga 12 procedura të realizuara deri në momentin e auditimit, katër ishin zhvilluar jashtë planit vjetor.
Auditorët kanë evidentuar gjithashtu se gjatë vitit 2025 universiteti kishte lidhur 21 kontrata përmes procedurave me vlerë minimale, në një shumë të përgjithshme prej 19,896.05 eurosh.
Sipas raportit, në disa raste ishin lidhur kontrata për furnizime dhe shërbime të natyrës së njëjtë, duke anashkaluar procedurat e hapura të tenderimit.
Auditorët kanë paralajmëruar se një praktikë e tillë mund të favorizojë operatorë të caktuar ekonomikë dhe të cenojë konkurrencën e lirë dhe transparencën.
Këto gjetje prekin përgjegjësinë e Zyrës së Prokurimit, njësive kërkuese dhe menaxhmentit përgjegjës për planifikimin dhe miratimin e shpenzimeve.
Burimi: Raporti i auditimit, faqet 20–21.
Rekrutimi dhe avancimet akademike – çfarë konstatuan auditorët?
Raporti ka shqyrtuar edhe procedurat e rekrutimit dhe avancimit të personelit akademik dhe administrativ.
Auditorët kanë evidentuar raste kur kandidatët kishin plotësuar kushtet formale juridike, por ishin hasur mangësi lidhur me përvojën e punës ose gradën e përcaktuar për avancim.
Megjithatë, për procedurat e shqyrtuara të përzgjedhjes së kandidatëve, raporti nuk ka dhënë rekomandime të posaçme.
Edhe procedura e rekrutimit për pozitën e zyrtarit të lartë për sigurimin e cilësisë është vlerësuar pa rekomandime shtesë.
Për rrjedhojë, kjo pjesë e raportit nuk mund të interpretohet si konstatim i përgjithshëm se të gjitha rekrutimet dhe avancimet në universitet kanë qenë të kundërligjshme.
Burimi: Raporti i auditimit, faqet 18–19.
Nga Artan Dermaku te strukturat e tjera drejtuese – kush duhet të japë llogari?
Gjetjet e raportit të auditimit nuk kufizohen vetëm te një person apo një zyrë e universitetit.
Ato prekin disa nivele të përgjegjësisë institucionale:
- Ish-rektorin Artan Dermaku, për menaxhimin e përgjithshëm institucional, shpenzimet e udhëtimeve dhe çështjen e miratimit të buxhetit;
- Ish-prorektorin Dukagjin Leka, në raport me përgjegjësitë e pozitës për bashkëpunim ndërkombëtar, udhëtimet dhe administrimin e projekteve;
- Dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, në raport me shpenzimet e udhëtimeve të evidentuara për këtë pozitë;
- Menaxhmentin e Fakultetit Juridik dhe Rektoratin, lidhur me procesin e akreditimit;
- Zyrën e Financave, për kontrollin, procedimin dhe dokumentimin e pagesave;
- Zyrën e Prokurimit dhe njësitë kërkuese, lidhur me planifikimin dhe zhvillimin e procedurave të prokurimit;
- Personelin administrativ të angazhuar në projektet ndërkombëtare, lidhur me kategoritë e deklaruara të punës.
Përmendja e këtyre pozitave nuk nënkupton se përgjegjësia individuale e secilit person është vërtetuar. Ajo duhet të përcaktohet mbi bazën e kompetencave, autorizimeve, dokumentacionit dhe veprimeve konkrete.
Dorëheqja nuk e mbyll çështjen e përgjegjësisë
Më 31 korrik 2026, Qendra.info kishte raportuar për dorëheqjen e Artan Dermakut nga pozita e rektorit, në një periudhë të shoqëruar me kritika të vazhdueshme për menaxhimin e universitetit.
Në atë raportim ishte ngritur pyetja nëse gjetjet e auditimit do të mbeteshin vetëm në letër apo do të pasoheshin nga veprime konkrete institucionale.
Vendimi i Këshillit Drejtues për dërgimin e raportit në Prokurorinë Themelore në Gjilan konfirmon se çështja nuk është mbyllur me largimin e ish-rektorit.
Në përfundimet e raportit, auditorët kanë evidentuar dobësi në qeverisje, llogaridhënie, menaxhim të rrezikut dhe cilësi të raportimit menaxherial.
Tashmë, Prokurorisë i takon të vlerësojë nëse gjetjet përmbajnë vetëm shkelje administrative dhe financiare apo nëse ekzistojnë edhe elemente të veprave penale.
Qendra.info do të vazhdojë publikimin e gjetjeve të raportit, duke analizuar në mënyrë të veçantë shpenzimet e udhëtimeve, deklarimin e personelit në projektet ndërkombëtare, dokumentacionin financiar dhe përgjegjësitë e ish-menaxhmentit.
Redaksia mbetet e hapur për publikimin e sqarimeve dhe përgjigjeve të të gjithë personave dhe institucioneve të përmendura.
Qendra.info – Hulumtim- Raporti final i auditimit të brendshëm të Ministrisë së Arsimit, qershor 2026



