Jakup Krasniqi kishte kërkuar që gjatë vizitës katërditore në Prishtinë të qëndronte gjatë gjithë kohës në shtëpinë e tij, pranë familjes dhe bashkëshortes, e cila ka probleme shëndetësore. Kërkesa ishte kundërshtuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila kishte propozuar 16 kushte të rrepta për realizimin e vizitës nën kujdestari.
Sipas një parashtrese të publikuar së fundmi nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte kërkuar leje për një vizitë katërditore në Prishtinë, me qëllim që të qëndronte pranë familjes.
Megjithatë, Prokuroria e Specializuar kishte kundërshtuar qëndrimin e tij të lirë në shtëpi dhe kishte kërkuar që vizita të zhvillohej nën masa të rrepta mbikëqyrjeje.
Në parashtresë janë renditur 16 kushtet që Prokuroria kishte kërkuar t’i zbatoheshin Krasniqit gjatë qëndrimit në Kosovë:
16 kushtet e propozuara nga Prokuroria e Specializuar
- Qëndrimi në paraburgim: Krasniqi duhet të qëndrojë gjatë gjithë kohës në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
- Paraburgimi ndërmjet vizitave: Gjatë gjithë kohës kur nuk është duke realizuar vizitën, ai duhet të mbahet në objektet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Kosovë.
- Shoqërimi i vazhdueshëm: Krasniqi duhet të jetë gjatë gjithë kohës nën shoqërimin e zyrtarëve përcjellës.
- E drejta për ndërprerjen e vizitës: Zyrtarët përcjellës kanë diskrecionin të marrin çdo vendim që e konsiderojnë të nevojshëm për sigurinë operacionale, përfshirë ndërprerjen e parakohshme të vizitës.
- Mbikëqyrja e vazhdueshme: Ai nuk lejohet të qëndrojë vetëm me asnjë person dhe duhet të jetë vazhdimisht brenda fushëpamjes dhe dëgjueshmërisë së zyrtarëve përcjellës.
- Ndalimi i kontakteve të paautorizuara: Nuk lejohet të takohet apo të ketë çfarëdo kontakti me persona të paautorizuar në lokacionin e miratuar për vizitën.
- Largimi i personave të paautorizuar: Të gjithë personat e paautorizuar duhet të largohen nga lokacioni i caktuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së vizitës.
- Ndalimi i pajisjeve të komunikimit: Nuk lejohet të ketë qasje në pajisje komunikimi, laps, letër apo mjete të tjera komunikimi, përveç atyre që i mundësohen nga Dhomat e Specializuara.
- Ndalimi i shkëmbimit të sendeve: Nuk lejohet t’u dorëzojë apo të pranojë sende nga asnjë person.
- Konfidencialiteti i vizitës: Krasniqi, familjarët, bashkëpunëtorët dhe mbrojtësi i tij duhet të përmbahen nga informimi i palëve të treta për vizitën, para dhe gjatë qëndrimit në Kosovë.
- Ndalimi i deklaratave publike: Mbrojtësi duhet t’i informojë familjarët e autorizuar për detyrimin që të mos zbulojnë lirimin e përkohshëm apo detaje të tjera të vizitës. Gjithashtu, nuk lejohet kontaktimi i mediave apo dhënia e deklaratave publike për këtë çështje.
- Ndalimi i diskutimit të çështjes gjyqësore: Krasniqi nuk lejohet të diskutojë çështjen e tij me askënd, përveç mbrojtësit të tij.
- Ndalimi i kontaktit me viktimat dhe dëshmitarët: Nuk lejohet asnjë kontakt i drejtpërdrejtë apo i tërthortë me viktimat ose dëshmitarët, si dhe asnjë ndërhyrje në procedurat gjyqësore apo administrimin e drejtësisë.
- Ndalimi i qasjes në dokumente dhe shkatërrimit të provave: Krasniqi nuk duhet të kërkojë qasje të drejtpërdrejtë në dokumente dhe as të shkatërrojë prova.
- Zbatimi i urdhrave të mëtejshëm: Ai duhet t’i përmbahet çdo urdhri të mëtejshëm të Trupit Gjykues që ndryshon kushtet e vizitës nën kujdestari ose e ndërpret atë.
- Pasojat në rast të shkeljes: Çdo shkelje e këtyre kushteve nga Krasniqi, mbrojtësi apo anëtarët e familjes së tij do të rezultonte në ndërprerjen e menjëhershme të lirimit të përkohshëm.
Kushtet e mësipërme janë ato që, sipas parashtresës së publikuar, Prokuroria e Specializuar kishte kërkuar të zbatoheshin gjatë vizitës së Krasniqit në Kosovë.

