Shteteve të Bashkuara, ku ruhen dhe përpunohen edhe informacione të ndjeshme ushtarake. Në mesin e të dhënave që mund të jenë ekspozuar janë informacionet nga radarët e mbrojtjes ajrore dhe rezervat e bombave e raketave amerikane në më shumë se 200 instalime ushtarake në mbarë botën.
Sipas një raportimi të agjencisë Reuters, që citon pesë burime të njohura me çështjen, ndërhyrja kibernetike është zbuluar gjatë një procesi për përmirësimin e sistemit dhe ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në funksionimin e platformës.
Deri më tani nuk dihet se kush qëndron pas sulmit, deri në çfarë mase kanë depërtuar hakerët apo nëse kanë arritur të vjedhin informacione.
Çfarë është Cloud One dhe çfarë të dhënash përmban?
Cloud One është një platformë dixhitale e zhvilluar nga Forcat Ajrore amerikane që nga viti 2017, me synimin për të bashkuar shërbimet e tyre teknologjike në një infrastrukturë të përbashkët.
Platforma mbështetet në teknologjitë e katër kompanive të mëdha: Microsoft, Amazon, Oracle dhe Alphabet.
Përmes saj funksionojnë dhjetëra aplikacione që menaxhojnë një gamë të gjerë shërbimesh, nga pagat dhe të dhënat e personelit deri te furnizimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve ushtarake.
Megjithatë, shqetësimi kryesor lidhet me sistemet që kanë rëndësi strategjike për sigurinë dhe mbrojtjen amerikane.
Njëri prej tyre mbledh të dhëna nga radarët e mbrojtjes ajrore dhe burime të tjera të inteligjencës në të gjithë Amerikën e Veriut. Një sistem tjetër gjurmon rezervat e bombave dhe raketave në më shumë se 200 instalime të Forcave Ajrore amerikane në mbarë botën.
“Një depërtim në këtë sistem është një çështje shumë serioze”, i ka thënë Reuters një nga burimet e saj.
SHBA-ja pezullon disa procese dhe nis hetimet
Pas zbulimit të ndërhyrjes, janë pezulluar proceset për transferimin e disa aplikacioneve administrative në Cloud One. Gjithashtu, janë bllokuar përditësimet e aplikacioneve që tashmë funksionojnë në këtë platformë, ndërsa disa përdoruesve u janë hequr të drejtat e administratorit.
Sipas njërit prej burimeve të Reuters, hakerët mund të kenë shfrytëzuar një dobësi në programet kompjuterike për të depërtuar në pjesën qendrore që kontrollon funksionimin e platformës.
Për të përcaktuar përmasat e incidentit dhe dëmin e mundshëm, hetuesit kanë kërkuar ndihmën e Komandës Kibernetike të Shteteve të Bashkuara.
Forcat Ajrore amerikane nuk kanë dhënë detaje konkrete për sulmin, duke deklaruar se nuk komentojnë mbi nivelin e sigurisë, dobësitë apo statusin operacional të rrjeteve dhe sistemeve specifike.
Në përgjigjen për Reuters, ato theksuan se vazhdimisht ndërmarrin masa për mbrojtjen e informacionit, sistemeve dhe kapaciteteve operative të Departamentit të Forcave Ajrore.
Incidenti vjen pas zbulimit të një serie sulmesh të tjera kibernetike ndaj institucioneve amerikane, përfshirë FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Thesarit.
Deri në publikimin e raportimit, nuk ishte konfirmuar nëse nga sulmi ndaj Cloud One janë nxjerrë të dhëna ushtarake apo nëse sistemet më të ndjeshme kanë pësuar komprometim.

