Në kuadër të shënimit të 28 Nëntorit dhe Festave të Nëntorit, gjeneralë dhe oficerë të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, FSK-ja ka bërë të ditur se homazhet janë zhvilluar në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin dhe sakrificën e brezave që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Homazhet u zhvilluan në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificën sublime të familjes Jashari, të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për të gjithë brezat që luftuan dhe u flijuan për atdheun”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Me rastin e kësaj date historike, FSK-ja ka kujtuar edhe 29-vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997, në Llaushë të Skenderajt.
Sipas FSK-së, kjo ngjarje shënoi një moment të rëndësishëm në organizimin e rezistencës së armatosur për çlirimin e vendit, duke u bërë pjesë e pandashme e kujtesës historike të popullit të Kosovës.
Përmes homazheve në Prekaz, Forca e Sigurisë së Kosovës ka riafirmuar respektin e përhershëm ndaj historisë së luftës për liri, sakrificës së dëshmorëve dhe vlerave mbi të cilat u ndërtua shteti i Kosovës.
Krahas Ditës së Flamurit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori shënon edhe ditëlindjen e Komandantit Adem Jashari dhe përvjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

